SHBA: Kosova e Serbia të largohen nga e kaluara

  • 9 years ago
Shtetet e Bashkuara shpresojnë se takimi i sotëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, në Bruksel, do të jetë i suksesshëm. Këto komente i ka bërë mbrëmë vonë në Uashington, zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Victoria Nuland, gjatë një konference me gazetarë.

"Ne kemi qenë ekstremisht në mbështetje të procesit të diskutimeve, që Përfaqësuesja e lartë, zonja Ashton, i ka udhëhequr. Do t'iu përkujtoj se sekretarja Klinton dhe zonja Ashton së bashku patën udhëtuar në rajon për ta mbështetur procesin, dhe ajo ka pasur disa runde prej atëherë. Pra, ne e mbështesim vazhdimin e këtij dialogu. Ne shpresojmë se rundi i ri do të jetë i suksesshëm, pasi ne mendojmë se është e rëndësishme për të dy palët, për Kosovën dhe Serbinë, që t'i normalizojnë marrëdhëniet e tyre dhe të largohen nga trashëgimia e së kaluarës, dhe të lëvizin përpara në mënyrë demokratike, në aspektin ekonomik dhe në rrugën e tyre për integrime evropiane", ka thënë Victoria Nuland.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Michael Kirby, ka shfaqur sot shpresën se Beogradi dhe Prishtina do të arrijnë marrëveshje në Bruksel.

"Shpresoj që të përparojnë. Do të doja të arrihej marrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës, sepse mendoj se ajo do të ishte mirë për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe për përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian", tha Majkëll Kirby, ambasador i SHBA-ve në Serbi.

Në Bruksel aktualisht po zhvillohet rrethi i tetë i bisedimeve ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, nën praninë e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton. Bisedimet kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Shkëlzen Aqifi

Recommended