Analistët: Premtimet boshe irritojnë dhe ofendojnë popullin

  • 9 years ago
Ankthi për fitore në rrethin e dytë dhe përfundimtar të zgjedhjeve ka ashpërsuar akoma më shumë garën mes kandidatëve për kryetarë komunash. Partitë dhe kandidatët e tyre nuk mbajnë llogari aspak se çfarë mund të përmbushin apo jo nga premtimet e tyre, por përpiqen të joshin elektoratin me oferta vështirë të realizueshme. Ky është vlerësimi i analistëve rreth retorikës që përdorin kandidatët gjatë rrethit të dytë zgjedhor, të cilët madje thonë se një situatë të tillë më shumë i indinjon qytetarët se sa që i shtyn ata për t'u përcaktuar se kujt do t'ia japin votën.

"Gara politike gjithnjë e më tepër është duke e ulur vlerën e një gare normale politike, këtu pikë së pari mendoj për partitë të cilat mobilizohen që me çdo kusht të fitojnë zgjedhje por duke e përcjellë atë ankth edhe tek kandidatët pasi bëhet fjalë për zgjedhje lokale. Janë premtime të palogjikshme të pakuptimta të cilat i dinë paraprakisht se nuk mund të realizohen...Politikanët gjithnjë janë duke e humbur atë busullën e realitetit zgjedhor çka duhet dhe çfarë mund të premtohet gjithë kjo bëhet në ankthin e fitores. Është jashtëzakonisht irrituese dhe ofenduese dhe për opinion dhe popullin, mirëpo çuditërisht aty janë militantët të cilët duhet pastaj ta përkthejnë atë premtim atë thënie se nuk është aq e egër, është kundërshtari më i keq", tha Alajdin Demiri, analist.

"Është shumë e rrezikshme të premtohen gjërat të cilët nuk mund të përmbushen, sidomos për zgjedhjet e ardhshme sepse këtu jo vetëm kandidati por edhe vetë partia e cila e ka propozuar mund të marrë pikë negative. Nëse kemi ndonjë kandidat të BDI-së, PDSH-së, VMRO-së apo LSDM-së që premton shumë ndërkaq nuk do të mund të përmbush as gjysmën e saj që ka premtuar deri në zgjedhjet e ardhshme, atëherë jo vetëm ai kandidatë por do të pësojë e gjithë partia në atë vend, madje edhe po të propozojnë kandidat tjetër do të jetë pikëpyetje nëse do të fitojë besimin që e meriton", tha Vlladimir Bozhinovski, analist.

Sipas analistëve pasoja nga qasja e tillë e kandidatëve në garën zgjedhore mund të rezultojë me dalje më të ulët në rrethin e dytë zgjedhorë, ndërkaq vlerësojnë se kandidatët të cilët duan të fitojnë edhe votat e bashkësive të tjera etnike, në vend të premtimeve boshe, ofertat e tyre duhet t'i përfshijnë që më herët në programin e tyre zgjedhor. Semra Jakupi

Recommended