Skip to playerSkip to main contentSkip to footer
  • 10 years ago
Kandidati i PDSH për kryetar të Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, edhe sot ishte në shënjestër të akuzave të BDI-së. Zëdhënësi Bujar Osmani e cilësoi si hipokrizi veprimin e Bexhetit duke theksuar se ai ka fyer vlerat kombëtare të shqiptarëve me deklaratat e tij se maqedonasit nuk duhet të votojnë komandantët, por atë, pasi për kryetar të këshillit do të caktonte një maqedonas. Nga BDI akuzuan Bexhetin edhe për siç thanë cenimin e marrëdhënieve ndëretnike, të cilat BDI angazhohet fuqishëm t'i ndërtojnë në 10 vitet e fundit.

"Të dalësh të kërkosh votën e shqiptarëve me projekte kombëtare për gjuhën dhe kulturën shqiptare, të dalësh dhe të flasësh se gjithmonë shqiptarëve u shkelen të drejtat dhe diskriminohen dhe pastaj të dalësh para maqedonasve dhe të arsyetohesh dhe ankohesh se ata të këqijtë, komandantët përgjatë 4 viteve të fundit të mandatit të tij e paskan detyruar atë që të ndryshojë emrat e rrugëve dhe paska vendosur kipa siç thotë ai nëpër rrugët e Tetovës, i kalon të gjitha definicionet e deritanishme të dyfytyrësisë dhe hipokrizisë por ajo që dëshmohet e vërtetë se sllogani se janë ndryshe është e vërtetë por jo faqebardhë", u shpreh Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Duke komentuar reagimin e Sadi Bexhetit se bëhet fjalë për video-montazh me fragmente të shkëputura dhe të devijuara nga konteksti me qëllim të mashtrimit të publikut në prag të zgjedhjeve lokale, Osmani tha BDI-ja fton Këshillin për radiodifuzion të verifikojë origjinalitetin e kësaj videos. Ndërkaq për sa u përket incidentit të blerjes së votave në Tetovë, Osmani tha se sipas të dhënave të BDI-së, akuza është zgjeruar për rreth 180 persona të cilët mendohet se përmes formimit të një partie politike shqiptare kanë dashur të mbështesin Sadi Bexhetin. Semra Jakupi

Category

📺
TV

Recommended