Për 3,1 për qind janë rritur shpenzimet e jetesës në mars të këtij viti, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, publikoi sot Enti Shtetëror për Statistikë. Sipas të dhënave, rritja më e madhe e shpenzimeve për jetesë është regjistruar tek vesh-mbathjet edhe atë për 9.8 për qind, më pas vijnë produktet për higjienë dhe shëndetësi ku shpenzimet janë rritur për 5.1 për qind, përafërsisht aq sa është rritja edhe e shpenzimeve për ngrohje. Për dallim nga shpenzimet për jetesë, statistika tregon se çmimet me pakicë në mars të këtij viti krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, janë rritur për 1 për qind. Rritje më të madhe të çmimeve ka te produktet ushqimore, të cilat janë shtrenjtuar për më shumë se 3 për qind, si dhe të pijeve çmimet e të cilave janë rritur për 2.8 për qind. Se jetesa po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë konfirmon edhe statistika. Kështu me pagën mesatare neto gjithnjë e më pak mund t'i mbulojnë nevojat mujore të amvisërive. Të dhënat e fundit të Lidhjes së Sindikatave tregojnë se për të mbijetuar shkurtin, një familjeje katër-anëtarësh i nevojiten 32.185 denarë, shumë e cila krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak është rritur për 1.145 denar. Nga ana tjetër, sipas llogarive të LSM-së, me pagën mesatare mund të mbulohen 67 për qind e nevojave për ekzistencën e kësaj familjeje. Për shkak të çmimeve gjithnjë e më të larta të ushqimit, taksave komunale -- banimit -- nga njëra anë dhe rritjes së pa-konsiderueshme të pagës -- nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë thellohet dallimi mes të ardhurave mujore dhe nevojave reale për jetesë. Natasha Stojanovska
Comments