KSHZ vazhdon shqyrtimin e ankesave

  • 9 years ago
Komisioni shtetëror i zgjedhjeve vazhdon shqyrtimin e ankesave të paraqitura nga partitë politike. Sot u hodhën poshtë si të pabaza një numër madh ankesash që kishin të bënin me shumë vendvotime në Resnjë. Përfaqësuesi i autorizuar i LSDM-së, gjatë shqyrtimit të ankesave, theksoi se është regjistruar votim i personave të cilët në dokumentet biometrike kanë adresë banimi Shqipërinë, konkretisht nga Pusteci.

"Ne po theksojmë faktin se, përse atyre njerëzve nuk u duhej lejuar të votonin. Ligji është i qartë, zgjedhje lokale janë në fund të fundit, duhet të posedohet letërnjoftim ose pasaportë e vlefshme në të cilën është nënvizuar adresa e banimit dhe qëndrimit në Maqedoni. Këto nuk janë zgjedhje parlamentare. Nuk i lejohet një personi të këtushëm të votojë, pse duhet t'i lejojmë kryetarit të Pustecit të votojë këtu. Në bazë të çfarë arsyeje ndodhë kështu. Cfarë jemi ne këtu në këtë shtet 'Hotel promaja'", tha Aleksandar Vujiç, përfaqësues i autorizuar i LSDM-së.

"Më habit fakti që një shtetas i Maqedonisë, deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, lider i një partie politike, zoti Menduh Thaçi, edhe pse i regjistruar në listën zgjedhore, i cili gjithashtu posedon pasaportë biometrike të vlefshme, nuk mundi ta realizoj të drejtën e votës", deklaroi Bedredin Ibrahimi, Edhe Subhi Jakupi nga BDI.

"Këtë debat kam përshtypjen më së shumti e bëjmë para kamerave, sepse tani para kamerave debatojmë dhe themi gjithçka, ndërsa pas kamerave punojmë në mënyrë profesionale. Si ankesa, mendoj se nuk keni bazë për prishjen e zgjedhjeve në këto vendvotime, dhe ato nuk duhet të pranohen për diskutim të mëtejshëm dhe duhet të refuzohen", tha Subhi Jakupi, BDI.

Debati u shoqërua me tone të larta, pas të cilave reagoi përfaqësuesja e VMRO DPMNE-së Aneta Stefanovska e cila paraqiti një sërë vërejtjesh rreth përfaqësuesit të autorizuar të LSDM-së. Sipas saj, ai po keqtrajton anëtarët e KSHZ-së.

"Mendoj se si kryetar duhet të ndërmerrni masa dhe t'i jepni një vërejtje, sepse të gjithë ne do të ngremë ndonjë padi ndaj personit. Nuk mundet kështu, unë nuk mund të duroj më shumë. Ai dje dhe sot po na keqtrajton", deklaroi Aneta Stefanovska, VMRO-DPMNE.

Në rast se KSHZ-ja vazhdon punën me këtë ritëm, atëherë nuk përjashtohet mundësia që afati i parashikuar me ligj për shqyrtimin e ankesave të skadojë pa rezultate. Bedri Rexhallari