Ivanov kërkon zgjedhje të lira

  • 9 years ago
Presidenti Gjorge Ivanov iu bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhjet lokale, të kontribuojnë për zgjedhje të lira dhe demokratike, duke lënë pas incidentet që kanë ndodhur në proceset e kaluara zgjedhore. Ai iu bëri gjithashtu apel institucioneve që të sanksionojnë rreptësisht të gjithë ata që do të përpiqen të pengojnë procesin zgjedhor.

"Pres që zgjedhjet të kalojnë plotësisht në rregull, ashtu siç i shkojnë për shtati një proces i tillë, dhe çdo qytetarë të shfrytëzojë të drejtën e tij demokratike dhe kushtetuese të hedhë votën për atë që mendon se mund të bëjë më së shumti në vendbanimin e tij... Apeloj që, sikurse zgjedhjet e deritanishme, edhe këto zgjedhje të kalojnë në rregull, sepse na shohin gjithandej lidhur me mënyrën se si kalojnë këto cikle zgjedhore. Nuk na ka hije që pas 21 vitesh demokraci, të bëjmë sërish të njëjtat gjëra që kemi bërë në të kaluarën", tha Gjorge Ivanov, president.

Ivanov foli edhe për Komisionin Hetimor për zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit, i cili po punon nën patronazhin e tij, pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga diplomatët evropianë. Ivanov tha se formimi i komisionit tani është në nivel të partive, të cilat kanë arritur tashmë pajtimin rreth anëtarëve të komisionit. Mbetet vetëm që partitë të gjejnë gjuhën e përbashkët rreth zgjedhjes së kryetarit të këtij komisioni.

"Tani punimet e këtij komisioni zhvillohen në nivel sekretarësh të përgjithshëm, të cilët po përpiqen të gjejnë pajtim rreth kryetarit të komisionit, për shkak se ai duhet të zgjidhet nga të dyja partitë bashkërisht. Ata janë në komunikim të vazhdueshëm, mbajnë takime, konsultime dhe me siguri do të gjendet një zgjidhje, dhe të kemi një kandidat për kryetar që do të drejtojë komisionin", deklaroi Gjorgji Ivanov, president.

Komisioni do të përbëhet nga 5 anëtarë, dy nga dy partitë maqedonase dhe kryetari i cili do të jetë zgjedhje e përbashkët për të dy palët, por me kushtin, që të jetë figurë neutrale. Benjamin Arifi

Recommended