MPB-LSDM, përplasje për votuesit fiktivë

  • 9 years ago
Kanë vazhduar përplasjet mes opozitës dhe Ministrisë së Brendshme lidhur me pretendimet e LSDM-së se pushteti po përgatitë votues fiktivë për të falsifikuar zgjedhjet lokale të së dielës. Nga MPB-ja thonë se personat për të cilët dje opozita hodhi dyshime se janë votues fiktiv të ardhur nga Pusteci i Shqipërisë, janë student nga Turqia të cilët studiojnë në Shkup. Zëdhënësi Ivo Kotevski tha se MPB-ja do të informojë Ambasadën e Turqisë dhe do tu ofrojë personave ndihmën juridike.

"Zyrtarët policor në adresën e prezantuar takuan personat e xhiruar nga ana e disa mediave dhe nga vetë LSDM-ja. U vërtetua se bëhet fjalë për manipulim klasik të opinionit pasi personat nuk kanë asnjë lidhje me Pustecin dhe Shqipërinë, por përkundër dëshirës së tyre janë incizuar dhe përfshirë në propagandë të errët zgjedhore. Bëhet fjalë për një person të moshës 21 vjeçare i lindur në qytetin e Diarbakirit në Turqi me dokument të rregullt të udhëtimit ", deklaroi Ivo Kotevski -- zëdhënës i MPB-së.

Por, shefi i shtabit zgjedhor të LSDM-së, Igor Ivanovski hodhi poshtë pretendimet e MPB-së se gjoja personat e ardhur nga Pusteci janë student turq. Sipas Ivanovskit vetëm në Komunën Qendër në listën zgjedhore të KSHZ-së janë evidentuar 345 votues fiktiv të ardhur nga Pusteci,kurse të tillë ka edhe në Resnjë.

"I bëj thirrje Jankullovskën që së bashku me të gjithë bashkëpunëtorët e saj partiak të MPB-së, le të më paraqiten mua, sot, nesër, pasnesër së bashku do të shkojmë në të gjitha këto adresa të lartpërmendura dhe do ti kërkojmë studentët e Jankullovskës nga Prespa e Vogël. Mund të fillojmë nga banesa ku janë paraqitur 29 persona në një adresë, mund të shkojmë tek banesa që dje e vizituam, mund të shkojmë në rrugën Maksim Gorki ku 60 persona jetojnë në një adresë dhe të shohim me Jankullovskën se kush është student dhe kush është sjellë për të falsifikuar vullnetin e qytetarëve", tha Igor Ivanovski, shef i shtabit zgjedhor LSDM

Ndërkohë, lidhur me pretendimet e LSDM-së është prononcuar edhe VMRO-DPMNE-ja. Ilija Dimovski tha se LSDM-ja po tenton rrënoj procesin zgjedhor përmes siç tha manipulimit të ashpër me listën zgjedhore. "Ky është një skenar i pritur. Është plani B i paralajmëruar nga Branko Cërvenkovski, plan të cilën LSDM-ja ka vendosur orkestroj pas tentimit të pasuksesshëm për bojkotimin e zgjedhjeve", ka thënë Dimovski. Por, nga LSDM-ja u përgjigjën duke thënë se çështja e votuesve fiktiv "është shumë serioze dhe alarmante që të tentohet të mbrohet me pamflete politike të shkruar nga qendra e gënjeshtrave dhe e manipulimeve e VMRO-DPMNE-së".

Përplasjet mes LSDM-së në njërën anë dhe MPB-së dhe VMRO-s nga ana tjetër shpërthyen pas publikimit të një videoje me disa persona të cilët sipas LSDM-së janë votues fiktiv të sjellur nga Pusteci i Shqipërisë.

Ju jeni nga Pusteci? Edhe këta janë nga Pusteci, por edhe këto emrat, të gjithë keni ardhur para sa kohe?
Para 1 muaji!
Për të punuar keni ardhur?
Jo, jo nuk punojmë!
Deri kur do të qëndroni?
Deri të dielën!...