Asnjë përfaqësues i partive shqiptare nuk do të jetë në Komisionin anketues për zbardhjen e incidenteve në Kuvend më 24 dhjetor, ditën e miratimit të Buxhetit. Anashkalimi i shqiptarëve vjen për shkak të mos interesimit të tyre për pjesëmarrje në këtë Komision, por edhe për shkak të mungesës së ndonjë ftese zyrtare nga presidenti Ivanov, nën patronazhin e të cilit po zhvillohet formimi i këtij komisioni.
"Ne parimisht e kemi mbështetur formimin e këtij komisioni vetëm me një qëllim, që të hiqet nga agjenda evropiane, të mos mbetet si pengesë në rrugën tonë drejt BE-së. Deri në këtë moment janë caktuar vetëm përfaqësuesit e palëve të involvuara në konflikt. Mbetet edhe anëtari i pestë që komisioni të formohet. Ne do mund të kishim marrë pjesë si një lloj lehtësuesi sikur ishte rasti me incidentet në parlament më 1 qershor kur deputetët e LSDM-së hynë në konflikt me sigurimin, atëherë kryetar i Komisionit ishte deputet i BDI-së", deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Sipas deputetit të RDK-së Izet Zeqiri, propozues i mbi 400 amendamenteve për Propozim Buxhetin e vitit 2013, anashkalimi i shqiptarëve në Komisionin hetimor të formuar nga Qeveria me qëllim zbardhjen e incidenteve të 24 dhjetorit në Kuvend flet për pafuqinë e partisë politike shqiptare në pushtet pasi me këtë ata po bëhen makineri votuese dhe asgjë tjetër. Ai vlerëson se edhe deputetët shqiptarë në Kuvend me 24 dhjetor u janë nënshtruar presioneve pasi që edhe vetë ata kishin parashtruar aso kohe mbi 600 amendamente për parandalimin e miratimit të buxhetit për vitin 2013.
"Problemi i 24 dhjetorit, problemi i buxhetit nuk është vetëm problem i kacafytjes së dy partive maqedonase, partitë shqiptare kanë pasur mbi 600 amendamente dhe me këtë kanë qenë të kërcënuara edhe partitë shqiptare. Këtë që po bënë Qeveria tregon se sa të pafuqishëm janë shqiptarët. Shqiptarët llogariten në parlament vetëm si makinë votuese e jo si njerëz që mund të jenë dhe mund të japin kontribut në komisionin për zgjidhjen e incidentit me 24 dhjetor", tha Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.
Ndërkohë ende pritet që të zgjidhet edhe kryetari i këtij komisioni për tu kompletuar përbërja e tij. Nënkryetari i LSDM-së Gordan Georgiev njoftoi se partia e tij tashmë ka zgjedhur emrat të cilët do ti propozojë për kryetar të komisionit.
"Ky proces po vijon. Ne propozuam dy ekspertë nga ana jonë, edhe VMRO DPMNE propozoi dy të ashtuquajtur ekspertë. Vetë dinamika e procesit të zgjedhjes së kryetarit të Komisionit po zhvillohet në fshehtësi, dhe atë do të ja lëmë presidentit Ivanov. Ne dhe pala tjetër propozojmë kandidatë", deklaroi Gordan Gerogiev, nënkryetar i LSDM-së.
Sipas marrëveshjes që kanë nënshkruar LSDM-ja dhe VMRO DPMNE-ja, kryetari i Komisionit duhet të jetë person i pavarur dhe me kredibilitet të pranueshëm për të dy palët, ndërsa propozime do të parashtrojnë të dy partitë pjesëmarrëse në komision. Benjamin Arifi
Comments