Ende mbetet enigmë emri i kreut të komisionit hetimor i cili do hetoj zhvillimet e 24 dhjetorit ndërsa janë publikuar vetëm emrat e katër anëtarëve, Ilija Dimovski dhe Bllagorodna Duliq nga VMRO-DPMNE dhe Renata Deskovska dhe Lubomir Fërçkovski nga LSDM. Partitë edhe pse kanë përcaktuar emrat e kandidatëve për kryetar të Komisionit nuk i publikojnë ato derisa të përcaktohet metodologjia e zgjedhjes së kreut të Komisionit.
"E dini formatin e komisionit dhe si duhet të shkojnë propozimet. Ne dje propozuam dy kandidatë që janë propozuar nga ana jonë, profesori Frçkovski dhe profesoresha Renata Deskovska. Kemi edhe kandidat për kryetar të Komisionit megjithatë duhet përfundimisht të përcaktohet metodologjia se si do të shkojnë propozimet për kandidatë të komisionit dhe si do të jetë metodologjia dhe atëherë ne do të dorëzojmë kandidatin tonë për kryetar të komisionit. Në këtë fazë nuk dëshirojmë të shkojmë me emra", tha Zoran Jovanovski, nënkryetar I LSDM.
Por eksperti i të drejtës kushtetuese Osman Kadriu thekson se ky Komision që në start rezulton i dështuar pasi është zgjedhur në baza partiake e jo profesionale siç pretendohet me marrëveshjen e mbështetur nga ndërkombëtarët. Sipas tij Komisioni duhet të verifikoj tre çështje të rëndësishme, nëse më 24 dhjetor është shkelur rendi kushtetues dhe nëse Po atëherë do të duhet të kërkohet përgjegjësi politike ndërsa në raste specifike edhe të ngrihet procedurë për ndjekje penale.
"Në këtë përbërje siç janë propozuar nga vet deputetët, unë mendoj se prej fillimit duke filluar nga vet kombinimi dhe përbërja e komisionit vlerësoj se ka dështuar vet procesi i zgjedhjes pasi ky nuk është konform atyre pikëpamjeve që u trajtuan dhe u treguan në fillim para se të lindte ideja, iniciativa për themelimin e komisionit se atëherë vet presidenti i shtetit dhe faktorët e jashtëm u përqendruan në atë që komisioni të jetë vetëm komision prej ekspertëve dhe assesi prej personave politik. Në qoftë se ne në komision kemi deputet aty nuk mund të flasim për ekspert dhe anëtar të komisionit të cilët do jenë të paanshëm, neutral dhe objektiv", tha Osman Kadriu, ekspert i të drejtës kushtetuese.
Emrat e 4 anëtarëve të Komisionit hetimor u përcaktuan në takimin e djeshëm mes përfaqësuesve të VMRO-së dhe LSDM-së, Kirill Bozhinovskit dhe Andrej Petrovit ndërsa me iniciativë të presidentit të shtetit. Ky Komision është pjesë e marrëveshjes së arritur mes pozitës dhe opozitës më 1 mars nën patronazhin e bashkësisë ndërkombëtare. Gjyltene Rexhallari
Comments