Ivon: Retorika e liderëve paraqet anën e zymtë të fushatës zgjedhore

  • 9 years ago
Fushata zgjedhore ka qasje pozitive dhe është e fokusuar në problemet lokale, kështu ka vlerësuar ambasadori britanik në Shkup Krsitofer Ivon në intervistën javore të Radios Evropa e Lirë. Ai ka komentuar edhe retorikën në zgjedhje duke thënë se ajo paraqet anën e zymtë të fushatës. Sipas tij me rëndësi është që zgjedhjet të realizohen pa probleme pasi ajo do të lë gjurmë jo vetëm brenda vendit por edhe në nivel rajonal e ndërkombëtar.

"Dëgjova retorikën që është e personalizuar dhe ndoshta kundërthënëse dhe mendoj se kjo tregon anën e zymtë të fushatës zgjedhore të cilën normalisht e shohim edhe në shtetet tjera gjatë zgjedhjeve lokale. .. Shpresoj se zgjedhjet do të kalojnë pa probleme dhe do të jenë kredi e mirë për Maqedoninë. Aspekt i reputacionit është shumë i rëndësishëm. Slogani "çfarë gjurme do të lëmë" është e çdo individi, familje, bashkësie dhe komune. Ky slogan lë gjurmë në nivel rajonal pasi shtetet tjera shohin se si janë realizuara zgjedhjet në Maqedoni. Po ashtu edhe gjurmë ndërkombëtare pasi bashkësia ndërkombëtare dëshiron të shoh zgjedhje që do ta bënin vendin krenar e jo për tu shqetësuar", tha Kristofer Ivon, ambasador i Britanisë së Madhe në Shkup.

Ambasadori britanik ka qartësuar se negociatat për zgjedhje të parakohshme parlamentare do të duhet të fillojnë menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, si pjesë e marrëveshjes së arritur në fillim të këtij muaji mes pozitës dhe opozitës.

"Vlera e marrëveshjes siç e kuptoj unë është shumë e qartë. Ai mundëson që dialogu të vazhdoj në frymën e mirë për të gjitha opsionet, pa paragjykime. Sa i përket përcaktimit të datës për zgjedhje parlamentare ai diskutim pritet të realizohet menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Nëse ekzistojnë interpretime të ndryshme për marrëveshjen atëherë duhet të pyeten ata njerëz. Interpretimi im është i qartë", tha Kristofer Ivon, ambasador i Britanisë së Madhe në Shkup.

Ambasadori Ivon foli edhe për incidentet e javëve të fundit në Shkup ku në qendër të vëmendjes ishin kryesisht të rinjtë. Sipas tij intensiteti i incidenteve është ulur dukshëm duke shpresuar që edhe më tej do të merren parasysh thirrjet e liderëve politik dhe ndërkombëtare për qetësim të situatës. Sa i përket çështjes së problemit të emrit ai tha se kjo çështje kërkon guxim politik si dhe marrëveshje kompromisi nga të dyja palët. Kompromisi dhe fleksibiliteti nuk duhet parë si dobësi por si forcë për negociata të ndjeshme, ka thënë Ivon. Gjyltene Rexhallari

Recommended