Greqi, i burgosuri shqiptar merr peng gardianët e burgut

  • 9 years ago
Asnjë sukses nga negociatat e deritanishme për të bindur të burgosurin shqiptar në Greqi Alket Rizai, i cili mban peng të paktën 4 gardianë në burgun Malandrinos, dy prej të cilave femra. Në orët e fundit sapo është liruar njëri prej pengjeve, por të tjerët vazhdojnë të jenë nën kërcënimin e thikës, një granate dhe rreth 200 gramëve eksploziv C4, si garanci e largimit të tij nga burgu. Negociatat e avokatit të tij, të dashurës dhe njerëzve të tjerë deri tani kanë dështuar. I riu shqiptar, pretendon se është i pafajshëm për vrasjen për të cilën vuan dënimin me burg të përjetshëm në Greqi. Siç mësohet nga mediat shqiptare në Greqi e Shqipëri, pengmarrësi 36 vjeçar është i vendosur t'i shkojë deri në fund pengmarrjes, gjë për të cilën, i ka dalë krah edhe nëna e tij. Forca të shumta policie mbajnë rrethuar burgun, ndërsa snajperë janë vendosur në çati dhe pozicione të tjera për të eliminuar Rizain. 36 vjeçari njihet mirë nga opinioni shqiptar dhe grek. Ai ishte dënuar në vitin 2003 për vrasje dhe pjesëmarrje në bandë kriminale, por për 2 herë ia doli të arratisej me sukses nga burgjet greke të sigurisë së lartë. Në vitin 2006, përmes një helikopter privat për fluturime të brendshme, i ulur në tarracën e burgut në Koridhalos, ai u arratis me shokun e tij grek Vasilis Paleokostas, vëllanë e një ndër më të shumëkërkuarve në Greqi. Pas zbritjes nga helikopteri në një varrezë, ata ia dolën të largoheshin me motoçikleta. Megjithatë, arratia e parë e Rizait zgjati vetëm disa javë. Arratisja e dytë spektakolare e tij ishte në vitin 2009, një natë përpara se të dilte në gjyq. Sërish, bashkë me shokun e tij Paleokostas, dhe sërish përmes një litari të hedhur nga një helikopter nga jashtë, ata arritën të arratiseshin. Sipas mediave greke, në këtë tentativë të tretë arratie, Rizai mbetet i vendosur, se do të dalë i lirë. Ai po ndihmohet nga dy të burgosur të tjerë. Nuk përjashtohet mundësia që në këtë skenar të jetë përfshirë edhe e dashura Sula Mitropa, e cila gjithashtu ishte liruar nga burgu vetëm tre javë më parë. Autoritete të larta policore, përfshi sekretarin e përgjithshëm të Ministrinë Greke të Drejtësisë Marinos Skandamis kanë zbritur në burgun e Malandrinos, pa mohuar asnjë nga pistat, që nga negociatat e deri në eliminimin e Rizait. Paralelisht hetohen edhe rrjedhja e armëve të pengmarrjes; pra si është mundësuar futja e thikës dhe granatës në burgun e sigurisë së lartë. Admir Qose

Recommended