Vandalistë të paidentifikuar kanë thyer gjatë mbrëmjes së kaluar, 4 shtabe zgjedhore të kandidatit për kryetar të komunës Qendër, Andrej Zhernovski nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë. Katër shtabeve të Zhernovskit u janë thyer dritaret dhe iu është marrë materiali promovues. Shtabet kanë qenë të vendosur; njëri pranë Klubit të Deputetëve, një në Debar Mëhallë, në lagjen Kapishtec dhe Magjir Mëhallë. Kandidati për kryetar të komunës 'Qendër', Andrej Zhernovski tha se këto raste i ka paraqitur në polici dhe vlerëson se incidentet, janë vepër e fushatës që kryeministri Nikolla Gruevski dhe kreu aktual i Komunës Qendër, Vlladimir Todoroviq e cilësojnë 'pozitive'
"Sot siç po e shihni këtë shtab zgjedhor por edhe katër të tjerë të thyer. Nga gjithë shtabet në mbarë Shkupin, pikërisht shtabet tona thyhen në komunën Qendër. Kjo është fatkeqësisht pamja e shtabit tonë, e Komunës Qendër, e Shkupit dhe gjithë Maqedonisë. Nuk kam asnjë dyshim se ky skenar është kundërpërgjigje e konferencës sime të mbrëmshme, ku paralajmërova se 4 vitet që kemi para nesh, do të jenë të ndershme, do të jetë një mandat ku nuk do të përfshihet asnjë aferë d.m.th shumë më ndryshe nga 13 vitet e kaluara ku qytetarët flasin se sa banesa i ka marrë Allarova, sa garazhe në kate, të cilat u bënë brenda natës pronë e Todoroviqit", tha Andrej Zhernovski, kandidatë i Aleancës për Ardhmërin për Qendrën.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i VMRO-DPMNE-së. Sipas bartësit të listës për këshilltarë në komunën Qendër të VMRO-së, Tomisllav Llazarov, "LSDM-ja dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë po bëhen gjithnjë e më nervoz nga disfata që do të pësojnë në zgjedhjet e radhës lokale. Shtabet e thyera të LSDM-së janë fryt i problemeve të brendshme të opozitës në të cilat ne nuk dëshirojmë të marrim pjesë."
VMRO-DPMNE, sipas Llazarovit, i dënon aktet e tilla dhe u bënë ftesë institucioneve të sistemit që të kapin menjëherë autorët e këtyre veprave. Valmir Kuçi