Familja Asllani, 14 fëmijë, 5 pa shtetësi!

  • 9 years ago
Familja Asllani nga Hasanbegu i Shkupit është një familje e rëndomtë, por me peripeci dhe histori të veçantë. Kryefamiljari Fejzulla Asllani, baba i 14 fëmijëve, ka pesë vite që vrapon nga njëri sportel në tjetrin, për të nxjerr çertifikatën e lindjes për 5 fëmijët më të vegjël të lindur në shtëpi. Siç shpjegon Fejzullai, kërkesa e tij për regjistrimin e tyre dhe marrjen e dokumentetit të shtetësisë për 5 fëmijët e tij ka qenë e refuzuar disa herë, ndërsa herën e fundit i është marrë edhe e drejta për ankesë. Prindi i fëmijëve shpjegon se nuk e ka të qartë arsyen se pse shteti maqedonas refuzon të japë regjistroj fëmijët e tij, kur ai dhe gruaja e tij janë shtetas të Maqedonisë, dhe asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë problem me ligjin e vendit. Përpjekjet e tij për regjistrimin e fëmijëve dhe pajisjen e tyre me shtetësi po vijojnë tashmë 5 vite, por pa asnjë rezultat. Fejzulla Asllani ka kërkuar ndihmë edhe nga Komiteti i Helsinkit, si dhe nga Avokati i Popullit, i cili ka hapur procedurë për këtë çështje. Por edhe pas një viti që kur Ombudsmani ka hapur procedurë, Besari, Besniku, Berati, Etmiri dhe Agimi janë akoma në pritje që të bëhen edhe zyrtarisht shtetas të vendit ku kanë lindur.

"Unë jam duke u munduar për këto, jam duke punuar tashmë pesë vite. Prej vitit 2008. Nga Avokati i Popullit ka një vit që kërkoj ndihmë. Kam qenë te Komiteti i Helsinkit, ata më kanë dërguar të Avokati i Popullit. Dje kam qenë për herë të fundit. Më pyeti çfarë u bë, a i keni marrë nënshtetësitë, thash jo. Tash i kemi dhënë në gjyq, në Gjykatën Administrative", deklaroi Fejzulla Asllani, baba i fëmijëve.

Familja Asllani jeton në shtëpi të huaj, të huazuar sa për të pasur kulm mbi kokë. Kryefamiljari nuk ka një punë të rregullt, dhe mezi siguron ekzistencën për familjen e tij pesëmbëdhjetë anëtarëshe. Edhe pse në kushte të vështira, kjo familje nuk shfrytëzon asnjë ndihmë sociale nga shteti, pasi kërkesa e tyre për ndihmë sociale është refuzuar.

"Gjithsej kam 14 fëmijë, me ne jetojnë 13. Nuk marr asnjë ndihmë. Unë nuk mund të marr dokumentet, çertifikatat, e lëre më ndihmë", tha Fejzulla Asllani, baba i fëmijëve.

Çështja e mos dhënies së çertifikatave për fëmijët e Fejzulla Asllanit tani gjendet në proces gjyqësor, pas padisë së Fejzullait në Gjykatën Administrative. Familjarët urojnë për një epilog pozitiv për ta, edhe pse shpresat e tyre se do të arrijnë të marrin nënshtetësitë që u takojnë dalëngadalë po shuhen pas përpjekjeve të pasuksesshme pesë vjeçare. Benjamin Arifi

Recommended