Shënohet 12 vjetori i fillimit të konfliktit të 2001

  • 9 years ago
Në Malësinë e Tetovës, konkretisht në Kalanë e Sellcës u shënua sot 12 vjetori i fillimit të konfliktit të armatosur, e njohur si 'Pranvera e Dinjitetit' Në manifestim merrnin pjesë kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe ish luftëtarë të UÇK-së.

"Këto ngjarje do mbeten në kujtesë, siç do mbetet në kujtesë edhe ky 14 mars, sepse këta artistë edhe pse në mot me shi e bënë të veten, defiluan para të pranishmëve, për të kujtuar ngjarjet që kanë lënë gjurmë në historinë e shqiptarëve. Me këtë rast dua të rikujtoj të gjitha nënat e Sellcës që vunë në dispozicion bukë për ushtarët e UÇK-së dhe në jetë të jetëve, do jenë në kujtesën tonë", tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Në emër të brigadës 112 'Mujdin Aliu', ish komandanti Hazbi Lika foli për rrugëtimin e shqiptarëve, që nga nisja e konfliktit e deri më sot, me hapa të sigurtë politikë. Ndërsa kryesuesi i veteranëve të luftës Fazli Veliu falënderoi banorët e zonës, për mbështetjen e pakursyer për ushtarët e UÇK-së.


"Veprimet të cilat kanë nisur dikur, janë duke vazhduar me këta mjete të cilat janë adekuate për kohën e tanishme dhe ne si njerëz që kemi marrë mbi vete përgjegjësi të mëdha për të çuar amanetet e dëshmorëve deri në fund, besoj se jemi në vijën e duhur dhe besoj që jemi duke ecur me hapa të sigurt drejt asaj për të cilën ata dhanë jetën", deklaroi Hazbi Lika, ish komandant i brigadës 112 'Mujdin Aliu'.

"Ju jeni dinjitozët e kësaj ane sepse ju jetoni këtu gjithë kohën dhe u përballoni të gjitha vështirësive. Ju keni përballuar më të rëndat sepse në krahun tuaj keni barttë fëmijët dhe të rit të cilët janë këtu në këtë kala të pavdekshëm e që njomën me gjakun e tyre të lirisë gjithë këtë tokë arbërore", tha Fazli Veliu, kryetar i SHVL OVL-së.

Në fund të manifestimit, ish ushtarët e UÇK-së së bashku edhe me pjesëmarrës nga Kosova e Shqipëria, vendosën lule tek varrezat e dëshmorëve që ndodhen në Kalanë e Sellcës. Bashkim Sulejmani

Recommended