Ambasadorët përshëndesin vendimin për anulimin e protestave

  • 9 years ago
Përfaqësuesit diplomatik vazhdojnë të përkrahin fuqishëm vendimin e Bashkësisë Fetare Islame për shtyrjen e protestave për xhaminë 'Burmali'. Pas ambasadorëve amerikan dhe atij të OSBE-së, sot edhe ambasadori shqiptar, theksoi në takimin e zhvilluar në BFI, se zgjidhja e problemeve ndëretnike dhe ndërfetare në Maqedoni duhet të gjendet në institucione dhe jo në rrugë.

"Ne jemi në një dialog të vazhdueshëm edhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë, të cilët kanë shprehur shqetësimin, por edhe inkurajimin për hapat që ka marrë BFI-ja dhe besimtarët e saj, të cilët janë distancuar nga zgjidhjet dhe thirrjet që vijnë për zgjidhje me mjete të dhunës. Zgjidhjet nëpërmjet institucioneve janë zgjidhje më të qëndrueshme të cilat ne i përkrahim dhe i mbështesim, dhe natyrisht i bëjmë thirrje gjithkujt që të shmang provokimet dhe incidentet të cilat janë të padobishme qoftë për Bashkësinë Islame, qoftë për shqiptarët, maqedonasit dhe bashkësitë tjera", deklaroi Arben Çejku, ambasador i Republikës së Shqipërisë.

Ambasadori shqiptar dënoi edhe incidentet e periudhës së fundit, duke uruar që incidente të tilla të mos përsëriten. Nga ana tjetër, Çejku bëri thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat sipas tij duhet të shihen si proces demokratik i zgjedhjes së krerëve lokalë, e jo si garë etnike.

"Ne u pajtuam që t'u bëjmë thirrje të gjithë votuesve me të drejtë vote për të marrë pjesë në zgjedhje, sepse këto zgjedhje në thelb nuk kanë asgjë historike dhe të veçantë, këto zgjedhje nuk janë një census etnik, por këto janë zgjedhje për qytetarët", tha Arben Çejku, ambasador i Republikës së Shqipërisë.

Ndërkaq, nga Bashkësia Fetare Islame theksojnë se pas vendimit të tyre për shtyrjen e protestës, përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë dhënë garancinë se do të ndihmojnë në zgjidhjen adekuate të kontestit për Xhaminë 'Burmali'. Benjamin Arifi

Recommended