Bora dhe akulli i ri në disa pjesë të Evropës Qendrore edhe sot shkaktuan anulimin e qindra fluturimeve si dhe ndërprerje në trafikun rrugor dhe hekurudhor. Edhe pse reshjet e dëborës janë me intensitet më të vogël, temperaturat e ulëta ende po shkaktojnë probleme në infrastrukturën rrugore.
"Çdo gjë është e bllokuar. Këtu jemi që nga ora katër e mëngjesit dhe askush nuk vjen të hedh kripë në rrugë ose të pastrojë dëborën. Deri më tani rreth 50 automjete janë kthyer sepse nuk mund të ngjiteshin në kodër", tha Gijom Zhakero, Qytetar i Parisit.
Probleme ka në aeroportin "Charles de Gaulle", ku janë anuluar 20 për qind e fluturimeve dhe në vijën hekurudhore nën La Mansh, që e lidh Londrën, Brukselin dhe Parisin, po punon gjithashtu me vështirësi. Në rajonet kritike në Gjermani dhe Francë, autoritetet vendore i sugjeruan popullatës që të mos dalin pa nevojë jashtë shtëpive.
Edhe në Gjermani ka probleme. Autoritetet e aeroportit të Frankfurtit po tentojnë që të pastrojnë pistën, por ende disa fluturime nuk mund të realizohen. Në aeroport natën e kaluan rreth 3.000 njerëz. Trafiku rrugor në disa vise në Gjermani është bllokuar dhe po krijohen kolona me kilometra. Sipas meteorologëve, gjatë ditëve të ardhshme, pritet përmirësimi i situatës. Probleme të ngjashme ka edhe në jug të Anglisë. Petar Bllazhevski
Comments