Afaristët shqyrtojnë programin e RDK-së

  • 9 years ago
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore vijoi takimet me partitë politike shqiptare, ku po shqyrtohen programet ekonomike parazgjedhore. Pas takimit të djeshëm me përfaqësuesit e BDI-së, afaristët e Maqedonisë Veri Perëndimore sot pritën përfaqësuesit e RDK-së. Kandidati i RDK-së për Komunën e Tetovës, Izet Zeqiri theksoi se fuqia politike e komunave shqiptare varet prej fuqisë ekonomike, dhe se kryetarët e ardhshëm të RDK-së do të përdorin të gjitha mjetet që të mundësojnë zhvillim ekonomik të komunave.

"Ne jemi këtu për të prezantuar konceptin e programit tonë ekonomik, duke u nisur nga fakti se kompetencë burimore e komunave është zhvillimi ekonomik lokal, dhe duke u nisur nga fakti se problem kryesor apo fuqia politike e komunave shqiptare rrjedh nga fuqia ekonomike, ne jemi shumë të interesuar që të përdorim të gjitha strategjitë dhe instrumentet për zhvillim ekonomik të komunave në Maqedoni", tha Izet Zeqiri, kandidat për kryetar tëKomunës së Tetovës, RDK.

Kryetari i Odës theksoi se këto takime janë vazhdimësi e memorandumit të nënshkruar më parë, zbatimi i të cilit varet kryesisht nga pushteti lokal.

"Do të shpalosin para nesh programin ekonomik, atë se si ata e shohin mënyrën e zhvillimit të rajoneve dhe komunave të tyre, kuptohet gjithmonë në bashkëpunim me odën ekonomike, gjegjësisht me biznesin që operon në këto vende... Më herët kemi pas nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, gjegjësisht një platformë ekonomike në bazë të së cilës edhe zhvillohet bashkëpunimi jonë, në mënyrë që këtë ta operacionalizojmë. Mënyra më e mirë për operacionalizimin e saj është pushteti lokal", deklaroi Menderes Kuqi, kryetar i OEMVP.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore theksojnë se në koordinim me partinë tjetër opozitare shqiptare, PDSH-në, po kërkojnë orar të përshtatshëm për të dy palët për të shqyrtuar edhe programin e partisë së Menduh Thaçit. Benjamin Arifi

Recommended