Shënohet dita e 8 marsit

  • 9 years ago
Sot bota e feston Ditën e grave dhe kërkesave të tyre për barazi ekonomike, politike dhe sociale me burrat. Në Maqedoni, kjo festë shënohet me ngjarje kulturore dhe me dhurata simbolike për gratë -- të cilat kryesisht janë lule. Gratë e anketuara nga ALSAT thonë se jo vetëm për 8 marsin, por presin një vëmendje për çdo ditë të vitit.

"Mendoj se kjo duhet të vlerësohet, por, nuk duhet që vetëm në këtë ditë të blihen lule për të gjitha femrat, por për çdo ditë.
"Kemi me i ble, çdo vit blejmë, ndonjë parfum, apo lule, diç të ngjashme".

"Vetëm për 8 Mars zakonisht, tani në këtë krizë vetëm për 8 Mars".

Si edhe çdo vit, qarkullimin më të madh më 8 Mars e realizojnë shitësit e luleve. Ata që shesin në tregun e "Bit-pazarit" ankohen për shitjen, ndërsa në "Tregun e luleve", shumica e tregtarëve janë të kënaqur.

"Puna këtë vit është shumë dobët, kishte tollovi, krizë, populli nuk ka të holla, nuk është sikurse vitet e kaluara. Shumë më dobët. Çmimet janë të njëjta, për të mos thënë të njëjta sikurse vitet e kaluara".

"Të gjitha lulet shiten, por më së shumti shiten buqete, por edhe lulet në saksia. Çmimet varen nga buqetat dhe lulet që janë në to, 300-350-500... 1000 denarë e më tepër".

Statistika në Maqedoni tregon se gratë gjithnjë e më shumë po emancipohen dhe marrin një rol më të madh në shoqëri. Kështu, për shembull, numri i grave të diplomuara në vitin 2011 ishte 56.7 për qind e numrit të përgjithshëm e të diplomuarve. Gjithashtu numri i grave që magjistruan ose kryen doktoraturën është më i lartë në krahasim me meshkujt. Kombet e Bashkuara, këtë vit 8 Marsin e festojnë me rekomandimin - "Premtimi është premtim: është koha për aksion që t'i jepet fund dhunës kundër grave". Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, viti i kaluar ishte vit i krimeve dhe dhunës tronditëse kundër grave dhe vajzave. Bojana Simonoviq