Prej sot, pensionet janë rritur me 550 denarë. Ministri i Financave Zoran Stavreski tha se rritja është e njëjtë për të gjithë. Ai paralajmëroi se do të ketë rritje të re pensionesh në vitet që vijnë, por vetëm nëse këtë e lejojnë kushtet ekonomike.
"Politikat e tilla të Qeverisë do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme, në përputhje me programin e Qeverisë. Në vitin 2014 dhe 2015 janë parashikuar rritje të reja pensionesh dhe natyrisht, vetëm nëse këtë e lejojnë kushtet ekonomike", tha Zoran Stavreski, Ministër i Financave.
Nga Shoqata e Pensionistëve e mirëpritën vendimin e Qeverisë.
"Mendoj se të gjithë pensionistët do të jenë të kënaqur për shkak se kjo rritje hyn në bazën e pensionit. Muajin e ardhshëm do të bëhet edhe harmonizimi ligjor i pensioneve, por se sa do të jetë përqindja, këtë do ta shohim!", tha Dragi Argirovski, Kryetar i Shoqatës së Pensionistëve.
Sipas Ministrit të Punës dhe Politikës Sociale Spiro Ristovski, rritja e re e pensioneve nuk do ta rëndojë Fondin e Sigurimit Pensional.
"Nuk do të jetë ndonjë barrë e madhe për Fondin, as formulimi i mungesës së mjeteve. ... Në kuadër të buxhetit janë parashikuar mjete të mjaftueshme dhe nuk do të ketë ndonjë problem në pagesën e pensioneve, duke përfshirë edhe rritjen", u shpreh Spiro Ristovski, Ministër i Punës dhe Politikës Sociale.
Ristovski u mburr duke thënë se përveç pensioneve më të larta, pensionistët edhe këtë vit duke filluar nga mesi i muajit, do të shkojnë për trajtime në banja, me para të shtetit. Madje 30 mijë pensionistë kanë aplikuar për të shkuar në banjë në llogari të shtetit. Verica Pavlloski
Comments