Qeveria ndan nga 250 euro për familjet që pësuan nga përmbytjet

  • 9 years ago
Të gjitha familjet që pësuan nga përmbytjet e fundit, më së voni deri të martën, do të marrin nga 15 mijë e 500 denarë, ndihmë e njëhershme financiare nga shteti. Përveç të hollave, më të rrezikuarit do të marrin edhe veshmbathje, këpucë, dhe orendi shtëpiake. Zëdhënësi i Qeverisë Aleksandër Gjeorgiev thotë se paratë e shtetit do të paguhen në llogarinë bankare të anëtarit më moshuar të familjes.

"Gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, ekipet e posaçme të Ministrisë së Punës, së bashku me ekipe të Kryqit të Kuq dhe të komunave, do të dalin në terren dhe do të vizitojnë të gjitha familjet që janë goditur nga përmbytjet, prona e të cilëve është dëmtuar pjesërisht apo tërësisht. Do të shkojnë në çdo shtëpi të prekur dhe do të bëjnë regjistrimin e llogarive të transaksionit, ku do të arkëtohen nga 15 500 denarë. Po ashtu, do të dërgohen veshje, do të kontrollojë se çfarë numri iu nevojiten ato, sa të rritur kanë, fëmijë, burra, gra", deklaroi Aleksandar Gjeorgiev, Zëdhënësi i Qeverisë

Përveç qytetarëve, ndihmë do të ketë edhe për komunat që pësuan dëme. Kryetarët e komunave do të marrin 130 mijë litra naftë, por për të do të duhet të paguajnë akcizën dhe TVSH-në.

"Sipas ligjit, detyrimi i subjekteve që marrin rezerva të naftës është që të paguajnë akcizën, që është një shpenzim shumë më i vogël se sa nafta që jep shteti dhe kjo është një ndihmë e mirë për pushtetin vendor", tha Aleksandar Gjeorgiev, Zëdhënësi i Qeverisë.

Sipas vlerësimeve fillestare, 1500 deri në 2000 familje kanë pësuar dëme nga përmbytjet. Atyre do t'u shpërndahen rreth 3 - 4 mijë veshmbathje e këpucë. Qeveria do të shpenzojë nga arka e shtetit, rreth 700 mijë euro. Ndërsa veshmbathjet, këpucët dhe mobiliet do të jenë nga mallrat e sekuestruara, nga Agjencia e Pronave të Konfiskuara, Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe Drejtoria e Doganave. Verica Pavlloski

Recommended