Të rinj shqiptarë u ngritën sot në një protestë masive kundër dhunës së këtyre ditëve ndaj fëmijëve shqiptarë. Protesta, edhe pse nisi si marshim paqësor, u nxit sot më shumë nga prania e gjerë e forcave policore, e cila nuk ishte e njëjtë me atë kur ndaj të rinjve shqiptar u ushtrua dhunë. Forcat policore përdorën kordonë policie për të siguruar që protestuesit të mos depërtonin në qendër, ndërkohë që përmes përplasjeve përcollën protestuesit deri në afërsi të Bit Pazarit. Ende mbetet i paqartë numri i të plagosurve, si nga protestuesit ashtu edhe nga vetë policët.
Qindra të rinj shqiptarë dolën sot në protestë për të shprehur revoltën ndaj rrahjeve të nxënësve shqiptarë, gjatë dy ditëve të fundit. Protesta filloi para Xhamisë së Jahja Pashës, dhe vazhdoi deri para qeverisë. Gjatë marshimit nuk pati incidente, por situata u përshkallëzua pas ballafaqimit me numrin e madh të policisë.
Protestuesit thanë se ndihen të shqetësuar nga gjithë kjo situatë, pasi sic thonë ata, nuk ndihen më të sigurt të dalin nga shtëpitë e tyre, sidomos fëmijët.
Në momentin kur turma vendosi të shpërndahej, sapo kaluan urën 'Goce Dellçev' për t'u kthyer në Çarshi, protestuesit iu kundërpërgjigjën pranisë së shtuar policore, e cila ngriti kordonë shoqërues, në mënyrë që të ndalohej marshimi drejt qendrës së qytetit. Nga sulmi u thyen disa vetura, vendqëndrimet e autobusëve, ndërkohë që policia iu kundërpërgjigj me dhunë, që nga gazi lotsjellës, krisma armësh si dhe rrahje të protestuesve. Po ashtu, nga shtizat janë hequr dy flamuj maqedonas.
Përmes numrit të madh policor dhe gazit lotsjellës, forcat policore shtynë përmes përleshjeve protestuesit deri në afërsi të Bit Pazarit. Kamera e ALSAT arriti të filmonte protestues të lënduar, por edhe police të goditur. Valmir Kuçi
Comments