Kriza politike, Fyle në Shkup

  • 9 years ago
Komisioneri për zgjerim Shtefan Fyle, do të vijë prapëseprapë në Shkup. Fyle do të përpiqet për herë të fundit të bindë palët për zgjidhjen e krizës, edhe pse nuk e arriti dot këtë gjatë ndërmjetësimeve të shumta, dhe vizitave të mëkëmbësve të tij apo personaliteteve të tjera ndërkombëtare që vizituan Shkupin. Komisioneri evropian, fillimisht e pati anuluar vizitën e tij të planifikuar në Shkup, i indinjuar nga mospërfillja e apeleve dhe neglizhenca e liderëve vendorë. Zëdhënësi i komisionerit Petar Stano, paralajmëroi se me këtë vizitë, Fyle synon që të mbaj gjallë shpresat se akoma ka shanse për krijimin e një raporti pozitiv pranveror.

"Komisioneri Fyle do të udhëtoj në IRJM nesër. Ai do të shkoj në Shkup me një mision të përbashkët me përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, që të takojnë partnerët kryesorë dhe të adresojë mënyra për zgjidhjen e krizës politike. Zgjidhja e krizës politike do të ndihmonte për krijimin e kushteve për raportin e KE-së në bazë të vendimit të shteteve anëtare, këtë pranverë. Kjo do kontribuonte që raporti të jetë pozitiv", deklaroi Petar Stano, zëdhënës i komisionarit evropian Shtefan Fyele.

Fyle në vizitën e nesërme do të shoqërohet edhe nga Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian Riçard Houit, dhe eurodeputeti Jerzhi Buzek.

"Pjesëmarrja jonë e përbashkët, si Parlament Evropian e Komision Evropian, dhe deputetë nga dy partitë më të mëdha në Parlamentin Evropian, do të dëshmojë se Evropa është e bashkuar rreth qëndrimit se tani është koha që t'u jepet fund ndasive në Shkup" - deklaroi raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian Riçard Houit.

Vizita e Fyles vjen një ditë pasi zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi takoi autoritetet e Brukselit. Në këtë takim, komisionari evropian edhe një herë shprehu shqetësimin se kriza aktuale po cenon një nga kriteret më të rëndësishme të Kopenhagës, atë politik. Semra Jakupi

Recommended