Deputetët e Vetëvendosjes ndërprenë raportimin e kryeministrit kosovar Hashim Thaçi në Kuvend. Në momentin që Thaçi doli në foltoren e Kuvendit për të dhënë llogari rreth takimit të tij të fundit me kryeministrin serb Ivica Daciq, deputetët e lëvizjes së Albin Kurtit vendosën para foltores një hartë me mbishkrim "Kosova e Hashimit". I përballur me këtë aksion të "Vetëvendosjes" opozitare, Kryeministri i Kosovës përfundoi raportimin e tij akoma pa e filluar.
Njëkohësisht grupi parlamentar i kësaj lëvizjeje lëshoi në Kuvend një prej bisedave të regjistruara telefonike të kryeministrit Thaçi, të njohura në opinion si 'Pronto-Skandali'. Në komunikatën e "Vetëvendosjes" theksohet se shfaqja e hartës ka qenë ilustrim i politikës së Qeverisë kosovare, e cila sipas tyre çon drejt krijimit të autonomisë për Veriun e Kosovës.
"Në këtë hartë janë shënuar të ashtuquajturat komuna me shumicë serbe të cilat u krijuan si pasojë e Planit të Ahtisarit --'kompromisit të dhimbshëm', siç e quajnë sot vetë ata që e votuan dhe negociuan për të. Tani, për këto komuna është duke u përgatitur krijimi i Asociacionit të veçantë të Komunave Serbe, i cili është hap thelbësor drejt krijimit të autonomisë për veriun e Kosovës. Pretendimet që lindin nga ky Asociacion nuk ndalen vetëm me komunat e veriu, ato shtrihen dhe më tej në jug të vendit".
Fjalimin e ndërprerë në Kuvend, Thaçi e vazhdoi në Qeveri. Prej kryeministrisë, ai drejtua deputetëve dhe popullit duke raportuar për ecurinë e dialogut me Serbinë. Aksionin e Vetëvendosjes ai e ka komentuar si tentim për pengimin e qytetarëve të Kosovës për të dëgjuar të vërtetën rreth progresit të bisedimeve.
"Pengimi ynë sot për të informuar në Parlament ka qenë pretendim që mos ta dëgjojnë qytetarët e Kosovës, deputetët, informatën e saktë dhe të vërtetën e progresit në këtë proces, që të krijohen mjegulli dhe konfuzione tek qytetarët", tha Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.
Thaçi foli për takimet me Daçiqin si dhe rezultatet e bisedimeve teknike. Ai tha se çdo gjë që po ndodh në këto bisedime, ecën konform Kushtetutës dhe Paketës së Ahtisarit, ndërsa theksoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë as kompetenca ekzekutive dhe as ligjvënëse. Benjamin Arifi
Comments