Nëntë vjet nga vdekja e presidentit Boris Trajkovski

  • 9 years ago
Nëntë vjet nga rrëzimi i aeroplanit Kinger ku tragjikisht humbi jetën presidenti i Maqedonisë Boris Trajkovski, bashkëpunëtorët e tij dhe anëtarët e ekuipazhit. Kingeri me të cilin po udhëtonte presidenti Trajkovski drejt një Konference Ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë, u rrëzua në afërsi të fshatit Huskoviq rrethi i Mostarit. Mbetjet e aeroplanit dhe viktimat u gjetën 24 orë pas rrëzimit të aeroplanit. Edhe pas 9 viteve arsyet për rrëzimin e Kingerit të Qeverisë mbeten të pasqaruara. Hetimin që po e zhvillonin organet kompetente maqedonase dhe ato të Bosnjës fillimisht treguan se arsye për aksidentin janë lëshimet e ekuipazhit gjatë procedurës së aterrimit, për shkak të kushteve meteorologjike, mjegullës së dendur dhe vranësirave. Por ekipet e ekspertëve të përbërë nga inxhinierë, pilotë, kontrollues fluturimesh dhe hetues, kanë rikthyer nën hetim të gjitha elementet që mund të përbëjnë, shkakun e vërtetë të rrëzimit të aeroplanit presidencial "Kinger" në vitin 2004. Komisioni i ri hetues i cili gjatë 6 deri 12 muajve të ardhshme do të grumbullojë prova materiale, përbehet nga ekspertë nga Maqedonia, Bosnja, Serbia dhe Kroacia. Në 9 vjetorin e vdekjes tragjike të presidentit Trajkovski, një delegacion i Kuvendit vendosi kurora lulesh tek varri i tij, ndërsa Ministri i Bujqësisë Lupço Dimovski, po udhëheq delegacionin qeveritar i cili morri pjesë në komemoracionin në afërsi të Rotimles. Në aksidentin e 26 shkurtit të vitit 2004 përveç Trajkovskit, jetën e humbën edhe Dimka Ilkova-Boshkoviq, Risto Bllazhevski dhe Anita Krishan Llozanovska nga Kabineti i presidentit, Mile Kërstevski pjesëtar i Ministrisë së Jashtme, Boris Velinov dhe Ace Bozhinovski anëtarë të sigurimit dhe pilotët Marko Markovski dhe Branko Ivanovski. Boris Trajkovski ishte presidenti i dytë i Republikës së Maqedonisë në periudhën prej 15 dhjetorit të vitit 1999 deri më 26 shkurt të vitit 2004. Valmir Kuçi

Recommended