Tetovë, qytetarët ankesa ndaj Entit për Punë Sociale

  • 9 years ago
Irfan Azizi nga fshati Trebosh i Komunës së Zhelinës ankohet se Enti për Punë Sociale i Tetovës, prej 5 muajsh me radhë nuk i jep këstin e tretë të shtesës fëmijërore, nga fondet që ndahen për fëmijët që janë në shkollë të mesme. Ai dyshon se të punësuar në Entin për Punë Sociale e pengojnë duke i kërkuar gjithmonë dokumente të ndryshme pa fund, duke ia vonuar përfitimin nga e drejta që gëzon.

"Për pesë muaj më ka gënjyer, sot-nesër-pasnesër, dhe s'ka njeri që mund t'i marrë paratë e tua. Tash ndryshon dhe thotë nuk jam unë spiun i dikujt se kush t'i ka marrë paratë, kërkoje se do dalë në shesh. Isha edhe te drejtori. Drejtori më tha se nuk jam i obliguar ta kryej këtë punë, por ja, do të të ndihmojë. Por puna nuk u krye!", tha Irfan Azizi, banor i Treboshit.

Azizi thotë se herën e fundit, punonjësit në Entin për Punë Sociale, kanë gjetur shkak të ri, duke pretenduar se faturat e energjisë elektrike nuk janë origjinale.

"Më dërgojnë në postë, atje më largojnë! Më çojnë tjetërkund, më largojnë. Askush nuk më jep informata për një punë që do vetëm një minutë. Kam problem me faturat e energjisë, nuk janë origjinale më thonë, unë erdha te EVN-ja, i pa këto dhe mu drejtua: veç të maltretojnë. Këto i jep EVN-ja. Këtë e ka sjellë ministria për neve që marrin ndihma sociale të na e lehtësojë pak ndërsa unë nuk mundem ti shfrytëzoj", tha Irfan Azizi, banor i Treboshit.

Nga Enti për Punë Sociale thonë se banorit Irfan Azizi i mungojnë dokumentet. Drejtori i këtij institucioni Naser Sadiku, i kontaktuar nga ALSAT, mohoi kategorikisht pretendimet për ndonjë mashtrim të Azizit, por nuk dha sqarime se cilat duhet të jenë konkretisht dokumentet që e mbajnë pezull këtë çështje, të pa zgjidhur prej 5 muajsh. Bashkim Sulejmani

Recommended