Me 209 vota 'pro', 5 'kundër' dhe 1 abstenim Parlamenti bullgar pranoi dorëheqjen e kryeministrit Bojko Borisov dhe Kabinetit të tij. Gjatë ditëve të ardhshme, presidenti Rosen Plevneliev do të kërkojë nga tri partitë më të mëdha, të formojnë një Qeveri teknike që të drejtojë vendin deri në zgjedhje. Ndonëse fillimisht ato duhej të mbaheshin në korrik, zgjedhjet do të afrohen, të paktën deri në prill. Arsyeja është e çuditshme, se as partia e Borisovit 'Qytetarët për Ardhmëri Evropiane të Bullgarisë (GERB), dhe as Partia opozitare Socialiste nuk duan të marrin pjesë në Qeverinë teknike. Kryeministri në dorëheqje, deklaroi nga foltorja e parlamentit se politikani bullgar i nacionalitetit turk Ahmet Dogan, i ka përgatitur atentat. Siç tha Borisovi, atentati është përgatitur para fillimit të zgjedhjeve parlamentare. Ndërkaq, qytetarët bullgarë mbrëmë në qendër të Sofjes, shprehën sërish pakënaqësinë ndaj shtrenjtimit të rrymës dhe ndaj politikave të pushtetit. Protestuesit, siç raportojnë mediat, nuk duan zgjedhje të parakohshme që do të sillte në pushtet njerëzit që menaxhonin shtetin në 23 vitet e fundit, por, për ta mjafton vetëm faturë më e lirë rryme. Për të dielën janë caktuar demonstrata akoma më të mëdha, kundër gjithë klasës politike. Petar Bllazhevski
Comments