LSDM-ja kthen mandatet e deputetëve më 24 mars, dhe paralajmëron delegjitimimin e zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen pa opozitën. Disa prej veprimeve të opozitës të cilat do të ndërmirren para dhe pas zgjedhjeve lokale do të deklarohen të dielën në Kumanovë, ndërsa disa prej tyre opozita i paralajmëron si befasi.
"Nëse pushteti me këmbëngulësi vendos që të zbatojë zgjedhje jo-legjitime, ndërsa të tilla do të jenë zgjedhjet pa opozitën e plotë, atëherë dorëheqjet do të deponohen më 24 mars, ditën e zgjedhjeve. Këto dorëheqje janë mbledhur dhe deponuar nga 42 deputetët e opozitës", deklaroi Igor Ivanovski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.
I pyetur për përçarjen eventuale brenda LSDM-së në prag të Kongresit të Majit, Ivanovski deklaroi se janë tepër të preokupuar me tentimet për rrëzimin e këtij pushteti, dhe askush në LSDM nuk merret me çështjet brenda-partiake.
"Gruevski më 24 dhjetor dha urdhër që të rrihen dhe të dëbohen deputetët nga Kuvendi, bashkë me ju gazetarët. Shtatë vite udhëheq shtetin, dhe kjo rezultoi me rritjen e varfërisë, papunësisë, krimit, korrupsionit. Nuk ka asnjë institucion të shëndoshë. Maqedonia është në rrugë të verbër, drejt NATO-s dhe BE-së. Nuk kemi ndërmend, as të drejtë, as unë, as cilido në këtë parti as që mendojmë të merremi me kombinime brenda-partiake, dhe të luajmë përrallën e VMRO-së", tha Igor Ivanovski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.
Sa i përket tërheqjes së mundshme të përfaqësuesve të LSDM-së nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor dhe këshillat komunale të këtij komisioni, Ivanovski theksoi se po shqyrtohen të gjitha mundësitë ligjore, pas çka do të vendoset se çfarë qëndrimi do të merret lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale. Benjamin Arifi
Comments