Energjetikë dhe turizëm. Këto janë temat për të cilat Hungaria është e interesuar për investime në Maqedoni. Në takimin e sotëm të parë të Komisionit të përzier ndërshtetërorë që u mbajt në Budapest, delegacionet e larta i kanë shqyrtuar projektet që realisht mund të realizohen. Shefi i delegacionit të madh të Maqedonisë, Valon Saraçini, realizoi takim edhe me kryeministrin hungarez, Viktor Orban. Me të biseduan për rritjen e bashkëpunimit të dy shteteve.
"Në takimin që pata me kryeministrin hungarez zotin Viktor Orban u ndalëm në projektet konkrete, respektivisht në projekte në sferën e energjetikës, në projekte në sferën e bujqësisë, në projekte në sferën e turizmit, mineraleve dhe teknologjinë informatike. Ajo që u diskutua është që kompanitë hungareze të kyçen në ndërtimin e largpërçuesve që lidhin Elbasanin dhe Manastirin dhe largëpërçusi që lidhë Shkupin dhe Prishtinën", tha Valon Saraçini, ministër i Ekonomisë.
Paratë për dy largpërçues do të duhej të vijnë nga Bashkimi Evropian, që do të thotë mundësi për përfshirje në projektet edhe të kompanive vendore, maqedonase. Po ashtu, hungarezët janë interesuar edhe për ofertën turistike të Maqedonisë. Operatorët e atjeshëm do të marrin subvencione nga Ministria e Ekonomisë për secilin turist që do të sillet nga Hungaria. Qëllimi kryesor ka qenë që të promovohet turizmi dimëror, meqë ky vend nuk ka male, ndërsa me linjën çarter e cila do të vendoset nga kjo vjeshtë në destinacionin Budapest-Shkup, të gjithë dashamirët e maleve për dy orë do të jenë në Malin Sharr, ndërsa për tre në Mavrovë. Me vizitën hapet mundësia që Maqedonia në mënyrë më intensive të përfshihet në ndihmën teknike-operative për hapjen e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës, për të cilën, nga ana e Këshillit veriatlantik është e autorizuar Hungaria. Goran Temenugov
Comments