Skip to playerSkip to main content
  • 10 years ago
Ish funksionari i lartë i LSDM-së Vllado Buçkovski i doli në krahë Stevçe Jakimovskit, disidentit që vetëm 5 minuta para skadimit të afatit të dorëzimit të kandidaturave, i ktheu shpinën LSDM-së për të kandiduar në gjirin e një tjetër partie në Komunën e Karposhit. Buçkovski tha se ky skenar nuk është aq i paimagjinueshëm nëse kihet parasysh politika humbëse që promovon lideri i kësaj partie Branko Cërvenkovski. Për Buçkovskin madje ky mund të jetë fillimi i fundit të LSDM-së.

"Është tragjike kjo që po ndodhë në LSDM. Që tragjedia të jetë më e madhe, është dëshpëruese mënyra se si sillet udhëheqësia e LSDM-së. Për mua është e papranueshme të ngjiten etiketa të tilla për Stevçe Jakimovskin, ndërsa deri dje betoheshin në emrin e tij...Mendoj se politika humbëse që promovonte Cërvenkovski, dhe që përfundoi me bojkot, nxiti një situatë të plotë disfate, e cila kam frikë se përbën fillimin e fundit të LSDM-së. Nëse kësaj i shtohet paralajmërimi se më 24 mars, në ditën e zgjedhjeve lokale, do të kthehen mandatet e deputetëve, atëherë hapet mundësia që të përjashtohet edhe ndonjë deputet i cili nuk do të donte ta kthente eventualisht mandatin", tha Vllado Buçkovski, ish kryeministër.

Buçkovski nuk përjashtoi mundësinë e formimit të partive të tjera opozitare në mungesë të pranisë së LSDM-së në institucione dhe në zgjedhje. Madje sipas tij LSDM-ja po humbë shansin për të qenë konkurrente e fuqishme edhe në zgjedhjet parlamentare.

"Këta kandidatë të pavarur, të fuqishëm, plus Stevçe Jakimovski, i cili u kandidua në momentin e fundit, 94 lista kandidatësh të pavarur, janë një përpjekje për të mbushur atë hapësirë boshe të krijuar. Nëse LSDM hyn në variantin e kthimit të mandateve dhe të mos marrjes pjesë në zgjedhjet parlamentare, mendoj se do të krijohet një 'Aleancë e re' që do të mblidhte këta kandidatë të pavarur, apo do të çonte në krijimin e ndonjë partie tjetër opozitare, e cila nuk do të jetë surrogat i LSDM-së, por do të mbushë sadopak hapësirën opozitare", tha Vllado Buçkovski, ish kryeministër.

Ish funksionari i lartë i LSDM-së Vllado Buçkovski vlerëson madje se dëmet që vetë Cërvenkovski i ka shkaktuar LSDM-së dhe Maqedonisë, janë të pariparueshme. Buçkovski tha se në vend të përjashtimit të Jakimovskit, kjo parti duhej të kërkonte dorëheqjen e Cërvenkovskit. Semra Jakupi

Category

📺
TV
Comments

Recommended