Komuna e Dibrës duhet t'i paguajë punonjësit social në Qendrën për nevoja të posaçme në Dibër, e jo Ministria e Punës dhe Politikave Sociale. Kështu deklaroi kreu i këtij dikasteri, Spiro Ristovski. Ai tha se që para katër vitesh, kur u hap kjo qendër ditore, është rënë dakord që paratë t'i siguronte komuna. Ristovski konfirmoi sot për Alsat se është i njohur tashmë me problemin, por theksoi se nëse autoritetet komunale dështojnë ta zgjidhin atë, atëherë mund të ndërhyjë edhe Ministria.
"Në rastin konkret, ajo qendër ditore, është hapur që para ardhjes time në këtë ministri... në marrëveshje me komunën e Dibrës. Dhe ishte një marrëveshje që punonjësit, do t'i paguante komuna. Unë jam informuar tashmë, se atje ka probleme, por nuk do të doja të pozicionohesha për zgjidhje. Megjithatë, nëse ekziston nevojë reale për mbështetje dhe ndërhyrje nga ministria, ne do t'i marrim parasysh këto mundësi. Natyrisht duhet të përfundojë procesi zgjedhor, duke pas parasysh ndalesat nga Komisioni Anti Korrupsion. Vetëm atëherë do të shprehim qëndrimin tonë", deklaroi Spiro Ristovski, Ministër i Punës dhe Politikës Sociale.
Ata pak punonjës të Qendrën Ditore për nevoja të posaçme në Dibër u ankuan se nuk kanë marrë rroga që prej 14 muajsh, e madje, edhe statusi i vendit të punës ka mbetur pa u zgjidhur. Përveç këtyre, probleme kanë edhe prindërit e fëmijëve që çdo ditë janë të pranishëm në këtë qendër. Për shkak të mungesës së parave, transporti çdo mëngjes që i merr fëmijët nga shtëpitë dhe i dërgon në Qendrën Ditore, nuk funksionon më. Verica Pavlloski
Comments