Skadon afati, partitë akoma pa marrëveshje

  • 9 years ago
Vazhdojnë paqartësitë rreth epilogut të krizës politike edhe në ditën e fundit të afatit për parashtrimin e listave të kandidatëve për kryetarë komune. Marrëveshje mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së për pjesëmarrjen akoma nuk është arritur. Siç njoftojnë nga LSDM, kjo parti mbetet në qëndrimin që e publikoi mbrëmë lideri i partisë me dy kërkesat konkrete të tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale. Nëse nuk ka përgjigje pozitive për këto dy propozime, LSDM-ja mbetet në qëndrim për bojkotin e zgjedhjeve lokale dhe kthimin e mandateve të deputetëve. Përveç ofertës së djeshme për prolongimin e afatit për paraqitjen e kandidatëve për 3 deri 4 ditë, VMRO DPMNE sot nuk është prononcuar. Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë Aleksandar Gjorgiev theksoi sot se çështja e pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje është çështje mes dy partive maqedonase. Sipas tij, Qeveria do të sigurojë të gjitha kushtet për realizimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike.

"Ne si Qeveri dëshirojmë që të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhje. Ne si Qeveri garantojmë se do të sigurohen të gjitha kushtet, të gjitha standardet ndërkombëtare për mbajtjen e zgjedhjeve, të jenë korrekte, të lira dhe demokratike, siç ishin ciklet e kaluara zgjedhore. Presim që të gjitha partitë politike në këtë aspekt duhet të jenë të përkushtuara dhe të përgjegjshme duke marrë parasysh interesat e qytetarëve", tha Aleksandar Gjorgiev, zëdhënës i Qeverisë.

Nuk përjashtohet mundësia që deri në fund të ditës të arrihet marrëveshje mes dy partive më të mëdha maqedonase dhe afati për paraqitjen e listave që duhet të përfundojë sonte, të shtyhet edhe për disa ditë. Megjithatë nga VMRO DPMNE dje kanë bërë të ditur se data e zgjedhjeve nuk do të lëviz, dhe ato do të mbahen sipas afatit të parashikuar ligjor, më 24 mars të këtij viti. Pas dorëzimit të kandidaturave para Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Komisioni për lustrim ka obligim ligjor që brenda 24 orëve të lustrojë kandidatët e propozuar. Benjamin Arifi

Recommended