Turbulenca në PDSH vetëm një ditë para dorëzimit të listave të kandidatëve në KSHZ. Në pikëpyetje serioze është kandidatura e Sadi Bexhetit për Komunën e Tetovës. Sipas informatave brenda kësaj partie, kreu i PDSH-së Menduh Thaçi seriozisht po mendon që të heqë nga loja Bexhetin, megjithëse vendim zyrtar akoma nuk është sjellë. Ky i fundit ndërkohë nuk dëshiron të lëshoj pe dhe këmbëngul që të mbetet kandidat i PDSH-së dhe të garojë për mandatin e dytë në zgjedhjet e 24 marsit. Vetë Sadi Bexheti mbrëmë në prononcim për disa portale ka demantuar zërat se mbetet jashtë loje për Komunën e Tetovës. Ai ka deklaruar se vazhdon të mbetet kandidat i PDSH-së për të fituar një tjetër mandat në krye të Komunës së Tetovës.
"Vazhdoj të mbetem kandidat i PDSH-së për të fituar edhe një mandat të ri në krye të komunës më të madhe shqiptare në Maqedoni. Lajmi i publikuar në disa media për gjoja tërheqjen time nga kandidimi është pjesë e fushatës parazgjedhore dhe nuk është i vërtetë", ka deklaruar Sadi Bexheti.
Por nga PDSH-ja askush nuk prononcohet, as i demantojnë e as i konfirmojnë paqartësitë për kandidaturën në Tetovë. Jo-zyrtarisht, tërheqja e Sadi Bexhetit ka qenë skenar i përgatitur prej më herët nga vetë kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, ndërsa largimi i tij nga gara në moment të fundit bëhet me qëllim që t'i pamundësohet kandidimi si kandidat i pavarur. Nuk bëhet i ditur as emri i kandidatit në rast të largimit të Bexhetit, edhe pse në opinion përmendet Hasan Luma, ish drejtori i Spitalit të Tetovës, por nuk përjashtohet mundësia që edhe vetë lideri i PDSH-së Menduh Thaçi të kërkojë besimin e qytetarëve për kryetar të Komunës së Tetovës. Të gjitha paqartësitë rreth kandidatit të ardhshëm të PDSH-së në Komunën e Tetovës do të qartësohen nesër në Shkup në ora 18 për kur kjo partia ka caktuar edhe konventën e parë me çka starton fushatën parazgjedhore.
Benjamin Arifi
Comments