Mexhiti - Deari: Kërçovën ta shndërrojnë në Uskanë

  • 9 years ago
BDI në ofensivë për të siguruar votat e mërgimtarëve shqiptarë, për zgjedhjet lokale të 24 marsit. Në tentim për të bindur mërgimtarët shqiptarë që të kthehen në vendlindje dhe të votojnë, nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti dhe kandidati i këtij subjekti politik për kryetar të Kërçovës Fatmir Deari qëndruan në Çikago të SHBA-ve. Para mërgimtarëve Mexhiti dhe Deari thanë se mbështetja e diasporës për zgjedhjet lokale është e domosdoshme. Nënkryetari i BDI-së Mexhiti ka thënë para mërgimtarëve se ka ardhur momenti që Komuna e Kërçovës të udhëhiqet nga një kuadër shqiptar. Por ka thënë se për një gjë të tillë, nevojiten vota e shqiptarëve që punojnë dhe veprojnë jashtë vendit.

"Jemi këtu, ju dhe ne bashkë për një qëllim, për Kërçovën tuaj dhe tonën e cila duhet të fitohet nga shqiptarët. Jemi këtu për të biseduar se Kërcova duhet bërë si Struga, Dibra, Tetova, Gostivari, Dollneni dhe si komunat tjera që udhëhiqen nga shqiptarët. Dhe kjo do të bëhet, por natyrisht na duhet ndihma juaj, të vini dhe votoni më 24 mars që ta bëjmë Kërçovën Uskanë, ta bëjmë Sande Shterijovskin - Hasan Prishtina, shtëpinë e Kulturës ta bëjmë Nënë Tereza dhe kështu me radhë", ka thënë nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti.

Kandidati për kryetar të Kërçovës Fatmir Deari, ka thënë se me këtë fitore të shqiptarëve në Kërçovë, do të lidhet Likova me Tiranën. Ai tha se do të jetë kryetarë i të gjithë qytetarëve dhe me përkushtim të madh do të punojë në zgjidhjen e halleve dhe problemeve të tyre.

"Ju premtojë se do të bëjë gjithçka që qytetarët e mi të Kërçovës komunën e tyre ta ndjejnë si shtëpinë e tyre dhe me përkushtimin tim më të madh do të angazhohem ti zgjidh hallet dhe problemet e banorëve të Kërçovës. Erdha këtu që Ju të më njihni prej së afërmi sepse vetëm ashtu Ju mund të krijoni një bindje dhe mendim për mua", theksoi Deari.

Me takimin në Çikago nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti dhe kandidati për kryetar të Komunës së Kërçovës, Fatmir Deari kanë përfunduar vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku qëndruan për afro një javë. Për të bindur mërgimtarët që të kthehen në vendlindje për votime, në nëntor të vitit të kaluar në disa shtete evropiane qëndroi lideri i BDI-së Ahmeti. Bedri Rexhallari