Agjencia e ushqimit anashkalon shqiptarët

  • 9 years ago
Agjencia për ushqim dhe veterinari do të punësojë 12 persona të rinj. Drejtori Dejan Runtevski shprehet se ndonëse intervistat me kandidatët janë në periudhën parazgjedhore, ato nuk janë kontestuese pasi dritë jeshile për punësimet ka dhënë edhe komisioni anti-korrupsion. Agjencia për ushqim dhe veterinari do t'i pranojë punëtorët e rinj tani, por vendimet e punësimit, do të jepen pas zgjedhjeve.

"Jo vetëm dje, por edhe sot kemi intervista për punësim. Shpalljet janë publikuar në gazetat e përditshme, disa ditë para se të merrej vendimi për shpalljen e zgjedhjeve lokale. Është kërkuar mendim nga Komisioni Anti-Korrupsionit, është marrë mendim pozitiv se mund të vazhdojmë procedurën, edhe pse ajo filloi para shpalljes së datës së zgjedhjeve", tha Dejan Runtevski, drejtor i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari.

Nga Agjencia shprehen se pjesa më e madhe e punësimeve kanë qenë për veterinerë që do të punojnë në terren. ALSAT mëson se asnjë nga kandidatët e paraqitur nuk është shqiptarë. Nga Agjencia shprehen se problemi nuk është tek ata, por tek interesi i vogël i shqiptarëve, dhe veçanërisht profesionalizimi apo studimi i tyre në drejtimin e veterinarisë. Para disa kohësh, me të njëjtin problem u përballë edhe Ministria e Bujqësisë, e cila nuk gjente agronomë shqiptarë për të përmbushur nevojat në kuadër të përfaqësimit sipas marrëveshjes së Ohrit. Në Ministrinë e Bujqësisë, vetëm 15 për qind e të punësuarve janë shqiptarë, ndërsa në Agjencinë për ushqim ky raport është diku 10 deri në 15 për qind. Verica Pavlloski

Recommended