LSDM: Antikorrupsioni, vegël e Gruevskit

  • 9 years ago
Në shënjestër të protestave të koalicionit opozitar të udhëhequr nga LSDM-ja sot ishte Komisioni Shtetëror për Antikorrupsion. Qindra qytetarë protestuan para këtij institucioni, për shkak se siç thonë ata, në vend që të luftojë korrupsionin, ky institucion është shndërruar në vegël të regjimit të Gruevskit. Deputetja e LSDM-së Vesna Bendevska kërkoi llogari pse Komisioni për Antikorrupsion po hesht për çështje që sipas saj, paraqesin afera korruptive të pushtetit aktual.

"Për fat të keq, Komisioni për Antikorrupsion u shndërrua në mbrojtës të krimit të regjimit të Gruevskit. Për çdo ditë ky regjim po mbytet në skandale të reja të korrupsionit ndërsa Komisioni i Antikorrupsionit është zhytur në heshtje të plotë. Thjeshtë, ky institucion nuk ekziston më. I gjithë opinion publik është dëshmitar se si Komisioni për Antikorrupsion heshti për aferën "fshesa patriotike" me të cilën në Ministrinë e Kulturës u dogj një pjesë e dokumentacionit për projektin "Shkupi 2014". Regjistrimi i dështuar që peshonte plot 14 milion euro mjete buxhetore, kontratat e dyshimta për EAPS Samitin e NATO-s i mbajtur në Ohër në vitin 2008 i cili zgjati vetëm një ditë, ndërsa kushtoi plot 3 milion euro, nga të cilat 800.000 euro të harxhuara në marrëveshje në katër sy", tha Vesna Bendevska, deputete e LSDM-së.

Bendevska përmendi edhe aferën "Dojçe Telekom", për të cilën Gjykata e SHBA-ve dje vendosi të ndjek penalisht pjesëmarrësit në aferën korrupsionit të rëndë 4.8 milion euro, përderisa institucionet e vendit, sipas saj, nuk kanë lëvizur me gisht. Aktivistët e LSDM-së, të tubuar para Komisionit për Antikorrupsion, shpalosën publikisht pronën materiale të ministrave dhe deputetëve të VMRO DPMNE-së, duke pyetur se si ka mundësi që me një rrogë deputeti apo ministri, këta funksionarë të pasurohen me disa shtëpi, vetura dhe llogari të majme bankare.Ndërkohë ka reaguar edhe VMRO-DPMNE, duke porositur Bendevskën që skandale korruptive të kërkojë në zyrat e Branko Cërvenkovskit.

"Bendevska ndoshta duhet të shkon në zyrat e shefit të saj partiak, Branko Cërvenkovski dhe aty të pyes për skandalet korruptive për truallin pas Ramstorit, furnizimet e stendave për kardiologji, aferën "Shpresë" dhe shumë të tjera. Kur veçmë Bendevska flet për korrupsion në rastin me Telekomin, duhet të ketë parasysh se në periudhën për të cilën flet, kryeministër dhe president të shtetit ishin kuadro të LSDM-së, ndërsa në Bordin drejtues të Telekomit, ishin anëtarë funksionarë të LSDM-së" -- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.Benjamin Arifi