EDITORIAL/PS midis PBDNJ dhe AK

  • 9 years ago
Mbeten akoma katër muaj nga zgjedhjet politike të qershorit, por që sot duket i qartë roli vendimtar, që një parti e vogël mund të marrë në ndërtimin e shumicës së ardhshme: kjo parti është PBDNJ. Partia e Vangjel Dules në fakt rrezikon të jetë gjilpëra e vërtetë në peshoren e rezultatit elektoral, jo shumë për faktin se mund të marrë me vete shumë deputetë, por sepse mund të ndihmojë të fitojë koalicioni me të cilin do të bëjë aleancë.
PBDNJ, aleati tradicional i Partisë Socialiste, duket se këtë herë po mendon të bëhet aleat i Ilir Metës. Çudia qëndron në faktin se as Edi Rama dhe as Partia Socialiste, nuk po japin deri tani mesazhe të qarta për ta bindur të qëndrojë në shtëpinë e madhe socialiste. Përse? Ndoshta sepse Edi Rama synon me strategjinë e tij një marrëveshje me Aleancën Kuq e Zi të Kreshnik Spahiut dhe Spahiu bashkë me Dulen nuk mund të bashkëjetojnë. Por a bën mirë PS të preferojë AK në vend të PBDNJ? Një eksperiment të ngjashëm elektoral Rama e bëri në zgjedhjet e vitit 2009 me Erjon Veliajn e G99. Eksperiment i cili në fakt dështoi.Kreshnik Spahiu dhe Alenaca e tij sjellin në mendje protestat në Shesh që organizonte Mjaft dhe pastaj G99: Dukeshin një forcë politike shpërthyese por kur erdhi momenti i zgjedhjeve, humbën. Nuk morën as edhe një deputet. Sepse për të fituar zgjedhjet nuk mjafton të dalësh nëpër gazeta dhe televizione, por duhet të kesh baza të forta të partisë në territor, strukturë që AK nuk e ka, tamam siç nuk i kishte Mjaft dhe G99. Ndërsa PBDNJ nuk ka reklamimin mediatik të Kreshnik Spahiut, por ka një rrjet shumë të fortë në terren. Pra ka vota. Dhe ka dhe një përfaqësues në komisionin qëndror zgjedhor, tjetër element strategjik që Kreshnik Spahiu nuk mund t'ua ofrojë socialistëve. Nëse bashkohet me LSI-në do të trasformonte aleancën mes Ilir Metës dhe PBDNJ-së në një protagoniste vendimtare të votës.
Kjo është shumë e mirë për Ilir Metën. Por a është e mirë dhe për PS?

(Redaksia Online/shqiptarja.com)

Recommended