LSDM: Ndryshimi i Rregullores, vetëm me konsensus

  • 9 years ago
LSDM-ja opozitare ka reaguar ashpër ndaj propozim ndryshimeve të Rregullores së Kuvendit, të cilat i paralajmëroi deputeti i VMRO-së Aleksandar Nikollovski. Sipas partisë së Branko Cërvenkovskit, ndryshimi i Rregullores pa konsensus është mjet tjetër për instalimin e regjimit totalitar të Gruevskit.

"Rregullorja e Kuvendit sillet me konsensus. Ashtu ka qenë gjithkund, ashtu ishte edhe në Maqedoni deri kur u instalua regjimi i Nikolla Gruevskit. Pas të gjitha ngjarjeve që ndodhën në periudhën pas 24 dhjetorit, pas shkeljes së Rregullores më 24 dhjetor dhe më parë, pas suspendimit të Kushtetutës, pas dëbimit brutal të deputetëve dhe gazetarëve nga salla e Kuvendit dhe pas dëbimit në rrugë të gjysmës së popullit votues të opozitës, pushteti merr guxim të ndryshon Rregulloren pa konsensus. Për ne kjo mënyrë e instalimit të regjimit totalitar është tani më më se e qartë dhe nuk na befason", tha Gordan Georgiev, nënkryetar i LSDM-së.

Edhe BDI-ja mban qëndrimin se në kohë të krizës parlamentare nuk është mirë që të ngrihen procedura të tilla, për të cilat nevojitet konsensus i gjerë. Ndërkohë sa i përket kërkesës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, nënkryetari i LSDM-së Gordan Georgiev vlerëson se edhe përkundër kalimit të gjitha afateve ligjore, një vendim për zgjedhje mund të sillet, nëse për atë ekziston vullnet politik.

"Me vullnet politik, me ulje në tavolinë, me marrëveshje politike mes pushtetit dhe opozitës kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare është e realizueshme. Këtë e din Gruevski dhe spinat rreth asaj se a janë kaluar afatet apo jo janë irelevante, pasi nëse ulemi dhe merremi vesh ajo do të realizohet", deklaroi Gordan Georgiev, nënkryetar i LSDM-së.

Ndryshe, LSDM edhe sot vazhdoi me rezistencën në rrugë, duke marshuar me vetura nëpër rrugët e kryeqytetit, me destinacion të fundit Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Benjamin Arifi

Recommended