Berisha: Albanofobia kërcënim për stabilitetin në rajon

  • 9 years ago
Albanofobia është gjallë dhe përbën një kërcënim për stabilitetin në rajon. Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha në fjalimin e mbajtur në ditën e dytë të punimeve të Konferencës së 49 të Sigurisë në Mynih të Gjermanisë. Duke nënvizuar se kufijtë mbeten të parëndësishëm nëpërmjet procesit të integrimit evropian, kryeministri shqiptar siç transmetojnë mediat në Tiranë i cilësoi të papranueshëm zërat që shqiptarët e copëtuar në 5 shtete të shndërrohen në 5 kombe të ndryshme.

"Nëse ju shihni hartën e Evropës nuk gjeni vend tjetër të rrethuar nga bashkëkombas dhe deti, siç janë sot shqiptarët të ndarë në 5 shtete. E rrezikshme është ideja, sipas të cilës meqënëse shqiptarët janë të coptuar në 5 shtete, duhet të shndërrohen në 5 kombe të ndryshëm nga njëri-tjetri. Kjo është tërësisht e papranueshme. Kjo do te prodhonte dhe provokonte reagimin e kundërt", tha Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë.

Kryeministri Berisha e konsideroi vendimtare për rajonin respektimin e plotë dhe implementimin e marrëveshjeve dhe refuzimin e çdo ideje se shqiptarët për aq kohë sa jetojnë në 5 shtete duhet të kthehen në 5 kombe. Kjo sipas Berishës do të refuzohet nga shqiptarët dhe në rast se vazhdohet me pohime të këtilla shqiptarët si alternativë do të kenë bashkimin e tyre.

"Në rajon situata më delikate është ajo e shqiptarëve. Kur flas me miqtë e mi kroat, slloven dhe madje edhe me ndonjë serb, ata më pohojnë me sinqeritet se çfarë 'baruti" urrejtje dhe përbuzje është akumuluar gjatë një shekulli për shqiptarët. Kjo është e vërteta. Dhe kjo është e shprehur duke vonuar zbatimin e marrëveshjeve, duke përkujtuar fillimin e fushatave të asgjësimit masiv të shqiptarëve. Ne kemi menduar se ne duhet të adaptojmë modelin e BE, të bazuar në pajtimin midis Francës dhe Gjermanisë. Por kjo ne rajon nuk po ndodh. Prandaj unë këmbëngul në implementimin e marrëveshjeve dhe refuzimin e çdo ideje se shqiptarët për aq kohë sa jetojnë në 5 shtete duhet të kthehen ne 5 kombe, sepse nuk do te pranohet nga shqiptarët. Kjo do të ketë për alternativë bashkimin e tyre kombëtar", tha Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë

Kryeministri Sali Berisha në kuadër të konferencës së Munihut është takuar me personalitete të cilat botërore në mesin e të cilëve edhe me zëvendës-presidentin amerikan XHo Bajden të cilin e ka ftuar për vizitë zyrtare në Tiranë. Alsat-M

Recommended