Opozita maqedonase është shprehur e gatshme për ti kthyer mandatet, ndërkohë që edhe njëherë ka theksuar se rruga e vetme për dalje nga kriza në të cilën është futur vendi janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Të gjitha opsionet tjera sipas opozitës vetëm se thellojnë krizën, dhe përgjegjësin për këtë do ta bartë Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE-ja. Andrej Petrov në emër të frontit opozitarë porositi pushtetin që të mos gënjehet se LSDM-ja po zbut qëndrimet e saja, përkundrazi është më e vendosur se kur më parë, se pa një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme parlamentare të lira dhe demokratike nuk do të kthehet në Kuvend dhe nuk do të merr pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale.
"Në atë moment kur do të bëhet e qartë se deputetët e LSDM-së dhe mandatet e tyre nuk mund të shërbejnë për tejkalimin e krizës politike, atëherë është e qartë se nuk ka nevojë të mbahen mandatet e opozitës sepse në atë mënyrë vetëm do ta legjitimojmë këtë pushtet. Zgjidhja e vetme, për tejkalimin kësaj krize është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, si mënyrë e vetme që të përtërihet legjitimiteti i institucioneve që u shkel më 24 dhjetorë. Absolutisht nuk do të shkojmë në zgjedhje lokale, nuk do të kthehemi në Kuvend, do ti kthejmë mandatet,kurse përgjegjësia për thellimin e krizës politike e cila është më e madhja në 10 vitet e fundit do të bie mbi Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE-së", deklaroi Andre Petrov, LSDM.
Petrov u shpreh pesimistë në drejtim të gjetjes së një kompromisi i cili do të shpinte drejtë zgjidhjes së krizës politike.
"Mendoj se gjithnjë e më të vogla janë shanset që të tejkalohet kjo krizë politike, për shkak se nuk ka gatishmëri nga pala tjetër për negociata, për dialog. Edhe njëherë do të nënvizoj se ai i cili beson se vetëm me komision për hetim të incidentit do ët zgjidhet kriza politike, ose është naiv ose nuk ka argumente të mjaftueshme për ngjarjet", tha Andre Petrov, LSDM.
Ndryshe nga dita e sotme opozita ka ndryshuar formën e protestës, nga bllokimi i kryqëzimeve në marsh me vetura nëpër rrugët e kryeqendrës. Sot u nisën nga palestra sportive MZT, kaloi nëpër gjithë Shkupin, deri tek Porta Vllae dhe u kthye para qeverisë, aty ku siç u shprehën fshihen fajtorët kryesorë për gjendjen në vend. Bedri Rexhallari
Comments