Rufi Osmani shprehet optimist për zgjedhjet e ardhshme

  • 9 years ago
Rufi Osmani shpalos me optimizëm të madh betejën për zgjedhjet e ardhshme lokale të 24 marsit. Kreu i RDK-së shprehet se nga zgjedhjet e 24 marsit do të arrij të mbajë komunën e Gostivarit, madje nuk fsheh shpresat edhe për Komunën e Vrapçishtit. Për Gostivarin, ai tha se do ta mundë kundër-kandidatin e tij nga radhët e BDI-së Nevzat Bejtën, që në raundin e parë.

"Rufi Osmani në komunën e Gostivarit do të fitoj në raundin e parë zgjedhorë. Jam thellë i bindur se të gjithë banorët e komunës së Gostivarit pa marrë parasysh se a janë shqiptarë, maqedonas apo turq do të votojnë për politikanin më të ndershëm në pushtetin lokal dhe më të përgatitur i cili pas vetes ka merita të mëdha dhe mirënjohje nga institucione ndërkombëtare relevante për udhëheqje cilësore me Komunën e Gostivarit", tha Rufi Osmani, kryetar i RDK-së.

Ndërkohë, Osmani nuk përjashton mundësinë që kandidati i partisë së tij për Tetovën, deputeti aktual Izet Zeqiri të hyjë në raundit e dytë.

"Jam i bindur se beteja kryesore në këto zgjedhje do të zhvillohet në Komunën e Tetovës. Jam i bindur se kryetari aktual nuk meriton të fitoj edhe një mandat për shkak se nuk e tregoi veten deri tani dhe mendoj se tani banorët e Tetovës tani kanë zgjedhje cilësore. Unë mendoj se përzgjedhja do të jetë mes Teuta Arifit nga BDI-ja dhe Izet Zeqiri nga RDK-ja, gjithashtu besoj se kolegu im Izet Zeqiri është alternativa e vërtetë për reformim cilësorë të Komunës së Tetovës", deklaroi Rufi Osmani, RDK.

Derisa partitë shqiptare të opozitës promovojnë kandidatët e tyre dhe bëjnë matematikat, është opozita maqedonase ajo e cila tani për tani mbron fort qëndrimin për bojkot të zgjedhjeve të 24 marsit. Bedri Rexhallari

Recommended