Kralev nuk komenton rikonstruimin!

  • 9 years ago
Ministrat në kabinetin Gruevski nuk komentojnë ri-konstruimin e qeverisë, por nga ana tjetër edhe nuk e mohojnë atë. Ministri i Arsimit Pançe Kralev deklaroi se kjo pyetje duhet adresuar në një vend tjetër, duke aluduar në qeveri, ku bën pjesë edhe ai vetë.

"Së pari nuk do të komentoj pjesën e parë, ajo është pyetje për një vend krejtësisht tjetër", tha Pançe Kralev, ministër i arsimit.

Në pyetjen nëse deri më 15 shkurt do të arrijë të përfundoj proceset e mbetura përgjysmë siç është ndryshimi i emrave të shkollave në Çair dhe kombinimi i paraleleve, Kralev thekson se ato janë procese në vijim dhe duhen realizuar, pavarësisht se kush do të udhëheq këtë dikaster. Sipas tij korniza për definimin e paraleleve të kombinuara është gati, dhe vetëm duhet të bëhet pjesë e ligjit, ndërsa emrat e shkollave presin vendimin gjyqësor.

"Sa i përket proceseve të filluara në ministrin e arsimit ato janë të vazhdueshme dhe zhvillohen pavarësisht ngjarjeve politike. Sa i përket procedurës për paralele të kombinuara, është miratuar një kornizë e përgjithshme e cila duhet, në të ardhmen, të shkrihet në ndryshime ligjore, ku procedura për kombinimin e paraleleve do të jetë më e definuar në kuadër të ligjit dhe, në atë mënyrë do të ketë rregulla të qarta në të ardhmen si dhe sipas cilës procedurë duhet të kombinohen këto paralele...Ato, siç kam thekuar disa herë, janë në procedurë gjyqësore dhe kur do të përfundojë kjo procedurë gjyqësore, ato do të shkrihen në aktivitet të ministrisë", tha Pançe Kralev, ministër i arsimit.

Paralajmërimet për rikonstruim të qeverisë vijnë pas vendimit për pjesëmarrjen e disa ministrave të BDI-së në garën zgjedhore lokale, të cilët edhe pritet të dorëhiqen nga postet e tyre aktuale. Në postin e zv/kryeministrit për euro-integrime, sipas të gjitha gjasave pritet të vijë Fatmir Besimi, ministër aktual i mbrojtjes. Për postin e Besimit, përmendet emri i Ermira Mehmetit, por nuk përjashtohet mundësia që BDI-ja ta braktisë fare këtë resor dhe të marrë atë të Arsimit. Më afër ministrisë për Vetëqeverisje Lokale është Hazbi Lika. Zv/ministri i financave Nedim Ramizi do të ngjitet në kuvend, për të zëvendësuar deputetin e sapo-dorëhequr Arbën Llabënishta, ndërsa në vend të tij, në ministrinë e financave, vjen një kuadër nga Kërçova. Gjyltene Rexhallari

Recommended