Është zgjuar i qetë kryeqyteti Kajro, një ditë pas një vale proteste që degjeneroi në përleshje me gurë ndaj forcave të sigurimit. Shumë egjiptianë vazhdojnë të protestojnë nga presidentit Morsi, dhe madje, demonstrata e djeshme përfundoi me 1 viktimë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Forcat e rendit vazhdojnë të forcojnë gardhin njerëzor me trupa ushtarakë pranë pallatit presidencial, duke kontrolluar rreptësisht edhe median, të filmojë skenat kaotike nga shishet e thyera që janë përdorur si bomba molotov me benzinë si dhe gurët e flakur. Policia thotë se është përgjigjur deri tani vetëm me topa me ujë dhe gaz lotsjellës, por dëshmitarët okularë thonë se viktimat e deritanishme në protesta janë shënuar me armë zjarri.
Egjiptianët bëjnë thirrje që presidenti Morsi të ndryshojë stilin e lidershipit, për të evituar një përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës.
"Zoti president, merrni në konsideratë kërkesat e popullit, ato duhen përmbushur, ju nuk duhet të dëgjoni këshillat e ndihmësve tuaj, sepse ata nuk iu ofrojnë informatat e sakta. Ju duhet të zbrisni, me ne në rrugë, të na dëgjoni, sepse jemi në situatë vërtetë të vështirë. Nuk mund të nxjerrim kafshatën, dyqanet po mbyllen, biznese, jeta ka ndaluar, kështu që na përmbushni kushtet", u shpreh Reda Ahmed, taksist.
"Nuk mjafton të kërkohet vetëm legjitimiteti. Përderisa ju kemi dhënë votën, duhet të na përmbushni kërkesat. Ju e morët votën time, dhe deri tani, asgjë! Përkundrazi, më keni dhënë më shumë varfëri, uri dhe mizëri, këtë kemi marrë prej jush deri tani", tha Emad Hozni, banor i Kajros.
Kreu i shërbimit të ambulancave të Egjiptit, tha se nga bilanci i protestave të një dite më parë, përfshi edhe qytete të tjera, ishin numëruar të paktën 54 të plagosur. Shteti mbeti në rrugën pa kthim, kur presidenti Morsi, që i përket 'Vëllazërisë Myslimane' ishte risi këtë vit, pas 60 vitesh sekularizëm në Egjipt. Për të forcuar pozitën e tij, Morsi bëri edhe ndryshime kushtetuese, që i ofrojnë atij imunitet dhe kompetenca të gjera si president. Bedri Rexhallari
Comments