Studentët anëtarë të bibliotekës "Shën Klimenti i Ohrit" kërkojnë dorëheqje të drejtorit të bibliotekës Mile Bosheski, për shkak të kushteve të rënda higjienike në bibliotekë, por edhe për shkak të anashkalimit të interesave të mbi 60 për qind të shfrytëzuesve të saj, të cilët janë shqiptarë.
"Të jesh anëtar dhe lexues i rregullt në bibliotekën kombëtare në këtë shtet multi-etnik i cili pretendon anëtarësimin në NATO dhe BE, do të thotë si të gjendesh në ndonjë bibliotekë të Beogradit, ku gjuha shqipe nuk figuron fare, ku festat e shqiptarëve nuk respektohen, dhe të hasësh në ndonjë të punësuar shqiptar është ëndërr e kamotshme e çdo studenti", tha Jusuf Fazliu, student.
Përveç dorëheqjes së drejtorit, studentët kërkojnë edhe zv/drejtor shqiptar, 35% e të punësuarve të jenë shqiptarë, rritje të fondit të librave në gjuhën shqipe, përmirësimin e kushteve sanitare etj. Pas këtyre kërkesave, qëndrojnë firmat e rreth 180 studentëve. Ato i janë dorëzuar Ministrisë së Kulturës, por deri tani, studentët firmëtarë nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
"Ne si union i studentëve kemi vendosur që të shkojmë deri në fund me këtë punë, ashtu që kemi dorëzuar kërkesën deri te ministria e kulturës dhe po përgatitemi të dorëzojmë edhe një kërkesë deri te inspektoratin sanitar", tha Imer Kameri, student.
Alsat M sot u përpoq të kontaktonte me drejtorin e kësaj biblioteke, por pa sukses të lidhej me të. Benjamin Arifi
Comments