Nëse të gjitha familjet instalojnë individualisht kolektorë diellorë, shteti do të kursejë rreth 80 milionë euro në vit. Një gjë e tillë do të zvogëlonte rrjedhimisht edhe nevojën për importimin e rrymës. Por, përveç shtetit, fitim nga ky kursim individual, ka edhe buxheti familjar.
"Po qese instalohet kolektor diellor I cili kushton 36 mijë denar kursimi mujor është rreth 1000 denar ndërsa kursimi vjetor arrin edhe deri në 12 mijë denar kjo tregon qartë se investimi në kolektorët diellor mund të kthehet në një afat kohor prej tre viteve. Po qese të gjitha familjet në Maqedoni diku 600 mijë instalojnë kolektor diellor kursimi vjetor do të jetë diku rreth 144 mijë mega vat orë energji elektrike në vit respektivisht kjo është diku rreth 80 milion euro që do të thotë se shteti në vend se ti paguaj këto mjete për importin e energjisë elektrike mund ti shfrytëzoj në burime tjera alternative të energjisë", tha Valon Saraqini, ministër i ekonomisë.
Këtë vit ministria e Ekonomisë do të ndajë subvencione të reja për ata që do të instalojnë kolektorë diellorë. Vetëm nevojitet dorëzimi në ministri i një dëshmie, se kryefamiljari ka instaluar kolektor diellor, ndërsa tërheqja e parave do të bëhet më 8 qershor.
"Në buxhetin e ministrisë së ekonomisë për këtë vit 2013 kemi ndarë gjithsej 6 milion denar apo 100 mijë euro për subvencionimin e harxhimeve për instalimin e kolektorëve diellor. Thirrja publike për këtë program është shpallur më 25 janar dhe do të zgjas deri më 31 maj të këtij viti", tha Valon Saraqini, ministër i ekonomisë.
Sipas strategjisë për avancimin e efikasitetit energjetik, një familje shpenzon mesatarisht 57% të energjisë për ngrohje, 22% për aparatet shtëpiake (frigorifer, fshesë elektrike, lavatriçe, kondicioner, televizorë, kompjuter etj), si dhe 12.7% për nxehjen e ujit dhe 8% për ndriçimin. Ekspertët theksojnë se autoritetet duhet të bëjnë hapa më serioz për të motivuar qytetarët, që të shfrytëzojnë sa më shumë burimet e ripërtërishme të energjisë, sidomos në situatë kur në tregjet botërore, energencat bëhen gjithnjë e më të shtrenjtë. Natasha Stojanovska
Comments