Vazhdon greva në ndërmarrjen Komunale 'Tetova"

  • 9 years ago
Sot vazhduan për të 6-ën ditë me radhë protestat e mbi 300 punëtorëve të Ndërmarrjes Publike Komunale 'Tetova". Ata protestojnë për shkak të mos pagesës prej 4 muajsh të rrogave dhe sigurimeve shoqërore. Mbrëmjen e djeshme, për shkak të mos gjetjes së një zgjidhje të premtuar, ata i vunë kyçin dhe e lidhën me zinxhirë portën kryesore të ndërmarrjes publike.
"Kam dalë këtu se kartonë për mjek, s'kam ...rroga s'ka, djali qe tri javë ka hall me dhëmbin, s'kam para ta çoj ne mjek, as para as karton. A duam ushqim ata fëmijë, a kemi familje a s'kemi ne, si ai që kujdeset për familjen e vetë edhe ne kujdesemi për tonën", deklaroi një punëtor.
Sipas disa informatave, drejtori u ka lëshuar një rrogë por punëtorët do vazhdojnë me protesta deri në përmbushjen në tërësi të kërkesave të tyre.
"Informata ka nga ana e drejtorit se është lëshuar një rrogë por ne me atë një rrogë s'mundemi të bëjmë asgjë, shkaku se s'mundemi t'i mbulojmë as borxhet që i kemi ndaj shitoreve që kemi marrë ushqim. Ne do vazhdojmë me grevën derisa të na paguhen rrogat e 2012 dhe kontributet sepse s'mund të shkojmë nëpër spitale", u shpreh një tjetër.
Ndërkaq, lidhur me problemin sot këshilli drejtues i ndërmarrjes publike zhvilloi një mbledhje ku i kërkoi kryetarit të komunës së Tetovës, të sigurojë para për rrogat e prapambetura përmes shitjes së ambienteve të ndërmarrjes, e jo paratë e shitjes së tyre, të shfrytëzohen për fushatën e zgjedhjeve lokale. "Për pagesën e rrogave do të përmbushet obligimi ligjor i komunës së Tetovës, të sigurojë para për funksionim normal të veprimtarive komunale të kësaj ndërmarrjeje. T'i jepet fund pagesës së punëtorëve të angazhuar me kontratë për vepër. T'i jepet fund shitjes së pronës së ndërmarrjes, si dhe të ndërpritet kontrata me firmën gjermane Hinkel. Menjëherë të ndërpritet pagesa me fatura fiktive në ndërmarrje, si dhe t'i jepet fund kërcënimeve ndaj punëtorëve për shkak të pjesëmarrjes në grevë'-shkruhej ndër të tjera në konkluzionet e Këshillit Drejtues të Ndërmarrjes Publike. Bashkim Sulejmani