Skip to playerSkip to main contentSkip to footer
  • 10 years ago
Televizionet kombëtare private Alsat M, Kanal 5 dhe 5+, Sitel dhe Sitel 3 kërkojnë heqjen e licencës së Industrisë Maqedonase të Muzikës dhe ndryshim urgjent të Ligjit për të drejta autoriale. Kërkohet edhe rishqyrtim i punës së Shoqatës për të Drejta Autoriale dhe Muzikore, si dhe IMM-së. Nëse Ministria e Kulturës nuk i pranon kërkesat, prej datës 1 deri më 15 shkurt, televizionet çdo ditë në orën 20 e 13 minuta, do të errësojnë ekranet me nga 1 minutë, si një porosi për shikuesit se fajtor i vetëm për minimizimin e krijimtarisë muzikore në Maqedoni, është IMM-ja. Nëse edhe kjo nuk arrin sukses, televizionet private paralajmërojnë masa më rigoroze. Nga televizionet private shprehen se nuk janë kundër të drejtave autoriale, por kundër arkëtimit të 1,5 % të të ardhurave vjetore të secilit televizion, pasi televizionet nuk kanë fitime të njëjta brenda një viti.
"Unë nuk besoj se ndonjë kompani do të pajtohet t'ju japë 1,5 % nga të ardhurat e përgjithshme nga viti vijues, dhe thjeshtë t'ua paguajë. Për shembull, nëse dikush ka fituar 1,5 milionë denarë duhet t'i paguajë 15 mijë denarë IMM-së, pa pasur ajo kurrfarë rreziku dhe pa pasur kurrfarë pjesëmarrje në kompani", deklaroi Goran Gligorov, drejtor i marketingut në televizionin Sitel.
"Njerëzit nga IMM-ja duan të mbledhin diçka që as Zoti, e për Zotin as Ligji në Maqedoni nuk ua ka dhënë. E mbi të gjitha, duan të na bindin me disa figura nga Kroacia dhe Sllovenia se ne jemi pak të pagdhendur dhe nuk kuptojmë. Se ata ashtu e kanë bërë, dhe se ajo shkon pikërisht ashtu!", theksoi Ivan Mirçevski, nga TV Kanal 5.
Drejtorët shprehen se IMM-ja i referohet nenit 84 të Ligjit për veprimtari radio-difuzive, të cilin fatkeqësisht e interpretojnë gabimisht. Në vend që 30 % e programit të transmetuar të jetë muzikë, IMM-ja këtë e ka kuptuar se 30 % duhet të jetë muzikë vendore.
"Punonjësit e Radio-difuzionit janë të obliguar të sigurojnë, që të paktën 30 % e muzikës së transmetuar vokale instrumentale, të jetë në gjuhën maqedonase ose në gjuhën e bashkësive etnike, jo shumicë në Republikën e Maqedonisë. Kjo do të thotë se nëse nuk transmetojmë muzikë, nuk do të transmetojmë as muzikë vendore, dhe askush nuk mund të na detyrojë për këtë", ka potencuar Bisera Jordanovska-Anastasieviq, drejtore e Alsat M.
Televizionet rajonale dhe lokale shprehen se nëse këtë tarifë, në aspektin financiar e përballojnë me vështirësi mediat kombëtare, atëherë puna e IMM-së për një pjesë të televizioneve të vegjël, do të thotë 'falimentim'. Nga Ministria e Kulturës shprehen se vazhdojnë të mbikëqyrin punën e Shoqatës për të Drejta Autoriale dhe Muzikore dhe se, për konstatimet e saj, opinioni do të informohet së shpejti. Ministria i bën thirrje IMM-së dhe shfrytëzuesve, që të negociojnë dhe t'i rregullojnë me marrëveshje të drejtat dhe obligimet e ndërsjella. Për aq kohë sa nuk ka marrëveshje, IMM-ja nuk ka të drejtë të faturojë, apo arkëtojë para për transmetimin e muzikës vendore. Verica Pavllovska

Category

📺
TV

Recommended