Daçiqi në Shkup, OJQ-të shqiptare në gjumë

  • 9 years ago
Përveç forcave të policisë që siguronin vizitën e kryeministrit serb Daciq, në rrugët e Shkupit sot ishte qetë. Nëse një javë më parë organizata të shumta dhe subjektet politike shqiptare në vend dënuan heqjen e lapidarit të UCPMB-së në Preshevë po nga ky kryeministër, sot i kishte zënë gjumi ngjashëm si liderët e Preshevës më 20 janar.
Organizata joqeveritare 'Iliricum Libertas', e cila javën e kaluar mbështeti protestat në Prishtinë kundër heqjes së lapidarit, dhe i bëri thirrje qytetarëve shqiptar të Maqedonisë ti bashkëngjiten kësaj proteste, sot nuk u prononcuan lidhur me vizitën e sotme të Daçiqit. Lideri i kësaj organizate Valon Kurtishi komentoi shkurt se nuk guxon të flasë për shkak të dënimit me kusht që ka për vizatimin e hartës së Shqipërisë Etnike në Tetovë. Ai druan se komentet e tij për vizitën e Daçiqit mund të cilësohen si fjalor urrejtje dhe ti aktivizohet dënimi.
Edhe Lëvizja qytetare 'Zgjohu' ishte në gjumë sot. Nga kjo organizatë theksojnë se nuk kanë planifikuar ndonjë reagim tjetër konkret, pos deklaratës me të cilën dënojnë heqjen e lapidarit, veprim ky që sipas 'Zgjohu-t' të përkujton politikën e Millosheviqit.
Ndërsa qytetarët janë të mendimit se duhej protestuar sot derisa Daciqi qëndronte në Shkup.

"Shumë keq. Ka ardhur të preferojë diçka edhe këtu të heq me siguri. Po, gjithsesi protesta duhet të ketë. Këtu, në Kosovë, në Shqipëri, gjithkund".

"Duhet të protestohet, patjetër".

"Po, edhe unë e përkrah, duhet".
E vetmja shprehje e revoltës ndaj vizitës së kryeministrit serb ne Shkup ndodhi në fund të vizitës së tij. Një grup të rinjsh vendosën tek ndërtesa e QT Mavrovasja flamurin e madhe kombëtar dhe portretet e komandantit legjendar Adem Jashari , Skënderbeut dhe Ismail Qemalit pikërisht përballë rrugës ku kaloi eskorta e veturave të kryeministrit serb Ivica Daciq. Benjamin Arifi

Recommended