'Brigada e zjarrfikësve', anashkalon shqipen

  • 9 years ago
Komandanti i Brigadës zjarrfikëse Bllagoja Menkovski nuk guxon të japë deklaratë lidhur me anashkalimin e gjuhës shqipe në institucionin që ai drejton. Edhe pse u pajtua që të flet para kamerës së televizionit Alsat M, në momentin që iu shtrua pyetja, refuzoi të përgjigjet dhe kërkoi kohë që të konsultohet para se të flasë. Në bisedën telefonike ai mori instruksione që të mos jep asnjë deklaratë lidhur me gjuhën shqipe në Brigadën e zjarrfikësve, institucion ky nën kompetencë të Qytetit të Shkupit. Sipas tij, është zëdhënësi i Qytetit të Shkupit ai që nuk i dha leje të komenton për televizionin Alsat M.

"Tani nuk mund të jap deklaratë nga ai. Ai është kryesor për marrëdhëniet me publikun. Mund të xhironi tabelat në dygjuhësi. Po të merrja vizë do të jepja deklaratë. Si do ta thoja, do ta thoja, por e kam patjetër të respektoj hierarkinë", tha Bllagoja Menkovski, komandant i zjarrfikësve.

Menkovski tha se ai nuk ka faj, por është Qyteti i Shkupit që nuk e lejon të japë deklarata për mediat lidhur me shkeljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në institucionet nën kompetencë të tij. Në Brigadën zjarrfikëse, fjalët e vetme në gjuhën shqipe janë të shkruara në tabelën në hyrje të ndërtesës administrative. Logot në uniforma, në vetura si dhe operatorët për denoncimin e zjarreve, të gjitha flasin vetëm maqedonisht. Ligji për përdorimin e gjuhëve obligon edhe këtë institucion që të përdor gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare. Për shkeljen e vazhdueshme që i bëhet ligjit, edhe Bllagoja Menkovski, si edhe kolegët e tij në institucionet tjera publike nën kompetencë të Qytetit të Shkupit, rrezikon dënim më burg deri në pesë vite, në bazë të nenin 138 të Kodit Penal. Benjamin Arifi

Recommended