Banka 'Pro Kredit' prej sot jep kredi për zbatimin e standardit Hallall në të gjithë prodhuesit e produkteve ushqimore, kompanitë e orientuara në eksport dhe hoteleritë. Vallë kjo do të thotë që kompanitë që do marrin kredi për këtë qëllim, nuk do prodhojnë prodhime Hallall, sepse paratë me të cilat do të zbatohet ky standard do jenë Haram, gjegjësisht të palejuara sepse për ato do paguhet kamatë? Në fakt, kamata, sipas të drejtës së Sheriatit është në kundërshtim me rregullat dhe normat islame. Ndonëse në promovimin e kësaj kredie duhej të vijë edhe ministri i ekonomisë, Valon Saraqini, ai nuk erdhi. Nga banka e cila jep kreditë, nuk duan të komentojnë nëse kredia me kamatë është Hallall, e lejuar, por vetëm thanë se shkalla e interesit është e volitshme.
"Shkalla e kamatës sillet prej 7.5 deri më 8.4 për qind dhe gjithçka varet nga madhësia e kompanisë dhe punës së saj", deklaroi Isni Abazi, Pro Kredit Banka.
Nga BFI-ja e cila së bashku me Agjencinë për certifikimin e standardit Hallall nga Bosnja dhe Hercegovina, bëjnë zbatimin e këtij standardi në Maqedoni, nuk dinin të thonë nëse zbatimi i standardit Hallall me para nga kredia, do të thotë blerje e prodhimeve dhe ushqimeve që janë Haram.
"Për atë nëse mund të marrin kredi për zbatimin e standardit Hallall, unë nuk do e komentoj këtë sepse në BFI ka ekspertë për këtë çështje. Ndërsa unë jam jurist dhe nuk dëshiroj të ndërhyj në këtë", tha Driton Dikena, përfaqësues i BFI-së.
Termi Hallall është në gjuhën arabe dhe do të thotë gjithçka që është e lejuar sipas normave të së drejtës së Sheriatit. Ushqimi i prodhuar sipas këtyre standardeve, do të thotë që është i sigurt se nuk ka mish derri, alkool dhe pesticide të ndryshme, gjegjësisht helme dhe gjithçka duhet të prodhohet sipas normave fetare. Në botë ekzistojnë edhe banka që japin kredi sipas të drejtës së Sheriatit, gjegjësisht, pa kamatë në mënyrë që paratë të jenë Hallall. Në vend ka vetëm dy kompani që zbatojnë standardin Hallall dhe eksportojnë produkte ushqimore në botë. Tani me certifikatë janë pajisur edhe 5 kompani tjera dhe tani pozicionohen në tregjet botërore dhe ato islame. Verica Pavloski
Comments