Skip to playerSkip to main contentSkip to footer
  • 8/21/2015
Godina e drejtorisë së Postave të Maqedonisë e cila gjendet në mes të Shkupit sot rreth orës 16 e 30 u kaplua nga zjarri si pasojë e të cilit një pjesë e madhe e objektit u shkrumbua. Zjarri sipas kompetentëve ka shpërthyer në hapësirën ku janë të vendosur serverët. Aty gjatë shpërthimit të zjarrit kanë qëlluar dy të punësuar, të cilët disa çaste më vonë janë shpëtuar nga ekipet e zjarrfikësve. Drejtori i Postave të Maqedonisë, Rafis Haliti me këtë rast tha se fat në fatkeqësi është që dëme në njerëz nuk ka, por është dëmtuar vetëm një pjesë e objektit të Postave të Maqedonisë.

"Ne tani për tani nuk mund të themi saktë se cilat ishin shkaqet përveç që mund të them se ne mendojmë se salla e vjetër ku i kemi serverët prej atij instalimi të vjetër, është e mundur që të ka ardhur deri tek përhapja e zjarrit por edhe këtë nuk mund ta them me siguri kështu që këtë gjë duhet ta thonë ekspertët të cilët do të bëjnë hetime gjatë ditëve të ardhshme", tha Rafiz Haliti, Drejtor i Postave të Maqedonisë

Në vend të ngjarjes pak minuta pas alarmimit se Posta e Maqedonisë është kapluar nga zjarri, doli edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski dhe Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.

"Në shuarjen e zjarrit kanë marrë pjesë të gjitha makinat e shërbimit zjarrfikës, rreth 20 makina dhe në mënyrë shtesë në ndihmë ju kanë ardhur edhe automjete të Ndërmarrjes Publike Ujësjellësi dhe të Ndërmarrjes komunale. Me këtë rast u pamundësua që zjarri të zgjerohet duke pasur parasysh se këtu një numër i madh i banesave janë të ngjitura njëra me tjetrën. Vlerësojë se zjarri tani më është lokalizuar dhe është vënë nën kontroll", tha Koce Trajanovski -- kryetar i Qytetit të Shkupit.

Sipas autoriteteve godina kryesore e Postave të Maqedonisë ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale. Nga policia thonë se po punojnë në zbardhjen e shkakut që ka iniciuar zjarrin në Postat e Maqedonisë dhe që shumë shpejtë do të dalin me detaje rreth rastit në fjalë. Valmir Kuçi

Category

📺
TV

Recommended